Raporte

Sa “vlen” Shqipëria për botën? “The Good Country Index”: Renditemi të 64-tët mes 169 vendeve të globit, të fundit në rajon

0

“The Good Country Index” e rendit Shqipërinë në vend të 64-të mes 169 vendeve në botë, sa i përket kontributit që jep si shtet ndaj fqinjëve dhe botës. Ky publikim vjen në formën e një raporti periodik, kryer nga Simon Anholt dhe Dr Robert Govers dhe përpiqet të masë kontributet e çdo vendi për botën jashtë kufijve territorialë në raport me madhësinë (mbi PBB). Sipas hartuesve të raportit, e kundërta e një vendi të mirë konsiderohet një “vend egoist”, pra jo një “vend i keq”, çka do të thotë se qëllimi i indeksit nuk është të gjykojë moralisht vendet e botës, përkundrazi, synon të masë sa më objektivisht të jetë e mundur kontributin e gjithësecilit në të mirën e përbashkët. Matja bazohet në shtatë shtylla kryesore ndër të cilat janë shkencë dhe teknologji, kulturë, paqe dhe siguri, rend, klimë, prosperitet dhe shëndet.

Këto shtatë shtylla ndahen në të tjerë nën-indikatorë, si përshembull numri i studentëve ndërkombëtarë, aktivitetet e bamirësisë, numri i vullnetarëve, numri i refugjatëve, publikimet ndërkombëtare, ndihmat humanitare, çmimet nobel, liria e lëvizjes, siguria në internet, liria e medias, etj. Ndërkohë, klasifikimi i mëparshëm e rendiste vendin tonë të 74-tin në botë, por mes 149 shteteve të marra në analizë, dhe jo 169 si në raportin më të fundit.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet në vend të fundit. Sa i përket nën-indikatorëve në të 7-të shtyllat ndërkohë, vendi ynë renditet e 119-ta sa i përket shëndetit dhe mireqënies, e 108-ta sa i përket kontributit në kulturë, e 109-ta sa i përket rendit, e 106-ta sa i përket kontributit në shkencë dhe teknologji, e 60-ta sa i përket klimës, e 26-ta sa i përket prosperitetit dhe e 12-ta në botë sa i përket paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, çka sinjalizon se janë pikërisht shëndeti, kultura, rendi dhe shkenca faktorët kyc që përcaktojnë renditjen tonë. Në botë Shqipëria lë pas vende si Pakistani, Bangladeshi, Guinea, Nigeria, Sierra Leone, Libia, Gaboni apo Zimbabve. Në nivel rajoni pozitat më të mira i ka Serbia, e cila është renditur në vend të 38-të mes 169 vendeve të botës.

Ndjek në renditje Maqedonia e Veriut në vend të 39-të. Pas Maqedonisë së Veriut gjejmë të pozicionuar Malin e Zi në vend të 42-të dhe Bosnje Hercegovinën në vend të 50-të. Kosova ndërkohë nuk është pjesë e kësaj renditje të përvitshme. Vlen të theksohet se në nivel rajoni Shqipëria ruan pozita jo të mira sa i përket indikatorit të të ndihmuarit të vendeve të tjera.
Në vend të parë në këtë renditje globale ndërkohë, që mund të përkthehet edhe si vendi më solidar me shtetet e tjera është Suedia, ndjekur nga Danimarka, Gjermania dhe Hollanda. Më pas ndjekin Finlanda, Kanadaja dhe Belgjika. Në vend të fundit me pozitat me të dobëta renditen vende si Mauritania dhe Siria.

“The Good Country Index”, Shqipëria

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

1 në 3 të punësuar, në shtet/ Shqipëria kryeson Europën me përqindjen më të lartë, Norvegjia e dyta me 30.4%

Postimi mëparshëm

Cila kompani ajrore shqiptare rrezikon falimentin? Raporti i “Bernstein” flet për “Albawings”, e rendit ndër 3 kompanitë më të rrezikuara në Europë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.