Tregu i Punës

Papunësia e të rinjve, si renditet Shqipëria? Me 27.1% të të rinjve të papunë, jemi ndër vendet më problematike në Europë

0

Shqipëria renditet ndër vendet me normën më të lartë të papunësisë për moshat e reja tregojnë të dhënat e publikuara së fundmi nga “Agjencia Europiane e Statistikave” për vitin 2021. “Scan Intel” ka krahasuar normën e papunësisë në Shqipëri me vendet e Europës për grupmoshën 15-24 vjeç, nga ku del se për vitin 2021, vendi ynë e regjistron këtë tregues në 27.1%. Nga ana tjetër, shifrat e “Institutit të Statisitikave” bëjnë më dije se gjatë vitit 2021 ky tregues rezulton të jetë rritur 0,6 pikë përqindje, çka flet për një përkeqësim. Në Europë vendet të cilat kryesojnë renditjen me normën më të lartë të papunësisë për këtë grupmoshë janë Greqia me 35.5%, Spanja me 34.8% dhe Italia me 29.7%, pasuar nga Shqipëria në vend të katërt. Gjermania pozicionohet e fundit në këtë renditje me normën më të ulët të papunësisë te moshat e reja me 6.9%. Në fund të listës gjithashtu renditen vende si Çekia dhe Zvicra me 8.2% dhe 8.8% respektivisht. Këto të dhëna për Shqipërinë mbështeten edhe nga shifrat e analizuara pak kohë më parë nga “Scan Intel” mbi normën e NEETs. Shifrat tregonin se në Shqipëri janë 1 në 4 të rinj të cilët as nuk punojnë dhe as nuk shkollohen (shiko këtu). Këto të dhëna tregojnë se të rinjtë në Europë integrohen në punë më shumë se të rinjtë në vendin tonë, kjo edhe për shkak se shumë të rinj në Shqipëri krijojnë marrëdhënie pune pasi kanë mbaruar arsimin e lartë.

Pavarësisht kësaj, Shqipëria është ndër vendet e para në Europë edhe sa i përket shkallës së papunësisë për moshën 15 vjeç e lart. Gjatë vitit 2021 në Shqipëri norma e papunësisë është regjistruar në 11.5%, ndërkohë që kjo shifër na rendit në vend të tretë në Europë. Dy vendet e para me shkallën më të lartë të papunësisë janë Spanja me 14.8% dhe Greqia me 14.7%. Në fund të renditjes vendet të cilat për vitin 2021 kanë regjistruar normën më të ulët të papunësisë janë Çekia me 2.8% dhe Malta 3.4%, ndërkohë mesatarja e Bashkimit Europian sa i përket këtij treguesi gjatë vitit 2021 rezulton në 7%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tirana rrit “epërsinë” ndaj qarqeve/ Portofoli i kredisë së individëve në kryeqytet, sa 65% e totalit, ishte 58% në 2015-ën

Postimi mëparshëm

Kreditë me probleme, vijojnë tendencat rënëse/ Shënon nivelin më të ulët që nga nëntori i vitit 2008, pranë 5.06%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.