Tregti

Shqipëria eksportoi 6.8 miliardë lekë mallra në rajon/ Dobësohen marrëdhëniet me Malin e Zi, forcohen me Bosnje Hercegovinën

0

Të dhënat më të fundit mbi tregtinë e jashtme nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se eksportet në volum në muajin mars 2024 kanë pësuar rënie për shkak të uljes së kërkesës në tregjet ndërkombëtare që ka ardhur si pasojë e çmimeve të pafavorshme si dhe rënies së monedhës europiane.

‘Scan Intel’ ka përpunuar të dhënat për të kuptuar sesi ka ndryshuar marrëdhënia e tregtimit mes vendeve të rajonit. Sipas shifrave, Shqipëria ka rritur eksportet në vlerë me dy prej partnerëve rajonalë. Konkretisht, vlera e eksporteve me Bosnje Hercegovinën në muajin mars të këtij viti arriti në afro 337 milionë lekë, me Serbinë eksportet prekën vlerën e 1 mld lekëve, ndërsa në Maqedoninë Veriut dhe Kosovë vlera e eksporteve ishte afro 1.4 mld lekë dhe 3.3 mld lekë përkatësisht. Nga ana tjetër, krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton se me Serbinë vendi ynë ka eksportuar 52 milionë lekë më shumë mallra, ndërsa me Malin e Zi  vlera e eksporteve ra me  611 milionë lekë.

Sa i përket importeve në vlerë Shqipëria ka forcuar marrëdhëniet vetëm me Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, nga të cilët morëm më shumë mallra se një vit më parë, ndërsa me vendet e tjera vlera e importeve ka shënuar rënie nga 6.8% me Serbinë deri në 27.5% me Maqedoninë e Veriut.

Por si ka ndryshuar tregtia e jashtme në peshë, pra në volum mes Shqipërisë dhe partnerëve rajonalë? Të dhënat tregojnë se në muajin mars të këtij viti, importet në peshë janë rritur me të gjitha vendet partnere, përveç Malit të Zi nga i cili morëm 24.1% më pak mallra. Përkatësisht pesha e importeve me Bosnje Hercegovinën është rritur me 29.3%, me Kosovën 33.8% me Serbinë 26.6% dhe  me Malin e Zi 19%.

Krahas peshës së importeve edhe pesha e eksporteve me vendet e rajonit ka ndryshuar. Konkretisht vendi ynë rriti volumin e mallrave të eksportuara në Bosnje Hercegovinën me 75.2%, në Maqedoninë e Veriut me 12.8%, në Serbi me 39% dhe në Kosovë me 2.2%. Ndërkohë me Malin e Zi volumi i eksporteve ra me 31.9%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet në Shqipëri, poshtë “vijës” europiane/ Inflacioni në mars rezultoi më i ulët se në vendet e rajonit  

Postimi mëparshëm

Ndryshon harta e kriminalitetit në Shqipëri/ Dibra është qarku më i sigurtë, Vlora rikonfirmohet me krimet më të larta

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.