Çmimet

Habit inflacioni, rritet gjatë majit/ Pranë 4.7%, pas 6 muajsh rënie. Zhvlerësimi i euros nuk i bën `nder` konsumatorit

0

Inflacioni gjatë Majit, në mënyrë të papritur është regjistruar në rritje, duke u fiksuar pranë 4.7%, sinjalizojnë shifrat më të fundit të Instat mbi Indeksin e Çmimeve të Konsumit. Pas 6 muajsh me radhë në rënie graduale, norma e inflacionit në vendin tonë i është rikthyer trajektores rritëse. Gjatë muajit prill, çmimet e konsumit ndërkohë rriteshin me 4.6%. Një vit më parë ndërkohë, cmimet në vendin tonë rriteshin me 6.7%. Në terma mujorë, shifrat tregojnë se gjatë majit, çmimet kanë qenë mesatarisht 0.3% më të ulta se muaji prill.

Sa i përket kontribuesve kryesorë në rritjen e çmimeve me 4.7% gjatë muajit maj, peshën kryesore e mbajnë “Ushqimet dhe pijet jo-alkoolike”, me 3.6 pikë përqindje, dhe ndiqen nga nëngrupi “Mobilje dhe pajisje shtëpiake” me 0.47 pikë përqindje, si dhe “Qira, lëndë djegëse” me 0.41 pikë përqindje. Këto tre grupe kanë kontribuar në masën 95% në rritjen e çmimeve gjatë majit të këtij viti, krahasuar me majin e një viti më parë. Grupi “Transport” është i vetmi që ka dhënë kontribut negativ në normën e inflacionit gjatë muajit të kaluar, me -0.82 pikë përqindje, sinjalizojnë shifrat.

Sa i përket grupeve të veçantë dhe ndryshimit të çmimeve krahasuar me një vit më parë, analiza e shifrave tregon se, rritjen më të madhe e regjistron grupi “Ushqime dhe pije jo-alkoolike”, me 10%, ndjekur nga “Argëtim dhe Kulturë” me 6.9%, “Mobilim dhe pajisje shtëpie”, me 6.5%, si dhe “Hotele, kafene dhe ristorante” me 5%. “Transporti” është i vetmi grup me rënie të çmimeve krahasuar me një vit më parë, me plot -12.3%.

Vetëm ushqimet ndërkohë, pa pijet jo-alkoolike rezultojnë në maj të këtij viti 10.6% më të shtrenjta se maji i kaluar. Rritjen më të madhe të çmimeve mes ushqimeve e regjistrojnë “Zarzavatet”, me 18.3%, dhe ndiqen nga “Qumësht, djathë, vezë” me 14.3%, si dhe “Mishi” me 12.1%. Për zarzavatet regjistrohet rritja më e lartë që prej Tetorit të vitit 2020. Edhe “Frutat” me 12% si dhe “Peshku” me 9.2% regjistrojnë rritje të lartë të çmimeve gjatë muajit të kaluar, sipas atyre që raporton Instituti i Statistikave. Vetëm “Vajrat dhe yndrynat” raportohen me rënie të çmimeve krahasuar me një vit më parë, prej -5.6%.

Rënia e ndjeshme e çmimeve të importit, siç tregojnë edhe shifrat e fundit po nga Instituti i Statistikave, si dhe zhvlerësimi drastik i euros, por edhe i dollarit amerikan dhe i valutave të tjera kundrejt euros do duhej të kishin sjellë një rënie të çmimeve të konsumit në vendin tonë, sidomos sa i përket mallrave, pra duke përjashtuar shërbimet. Diçka e tillë jo vetëm që nuk ka ndodhur, por çmimet e konsumit janë shtrenjtuar edhe më shumë. Pra, zhvlerësimi i euros duket se nuk po i bën aspak “nder” konsumatorit, në një kohë që do duhej të lehtësonte portofolin e tyre.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

BB rrit parashikimet për Shqipërinë/ Ekonomia do zgjerohet me 2.8% këtë vit. Jemi i vetmi vend në rajon me përmirësim

Postimi mëparshëm

Kur do realizohet paga 900 euro? Më 24 Gusht, nëse euro vijon të zhvlerësohet me të njëjtin ritëm

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.