Sociale

Jemi të fundit në Europë për paratë që na jep qeveria/ Vetëm 644 euro për frymë në vit, 7 herë më pak se mesatarja e BE, 30 herë më pak se Luksemburgu

0

Konsumi Final i Qeverisë, që është edhe një prej komponentëve të Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas metodës së shpenzimeve, ndër të tjera, gjerësisht konsiderohet si indikatori që mat atë që qeveria shpenzon për qytetarët, si për shëndetin, arsimin dhe shërbimet e përgjithshme publike, pra kryesisht ato shërbime dhe të mira që na vijnë drejtpërdrejtë në ndihmë. “Scan Intel” ka analizuar shifrat e Eurostat për të gjithë vendet e Europës, duke i përpunuar ato në bazë të popullsisë të secilit prej tyre, marrë po nga Eurostat për vitin 2021, për të kuptuar se sa shpenzon për çdo shqiptar qeveria në vit, dhe se sa është diferenca me vendet e tjera, si dhe me mesataren e Bashkimit Europian. Të dhënat i referohen vitit 2021, si viti i fundit me të dhëna të plota.

Nga kjo analizë e shifrave rezulton se Shqipëria është vendi i fundit në Europë, dhe me diferencë të ndjeshme me ndjekësit. Bazuar në të dhënat e Eurostat mbi shpenzimet e konsumit final të qeverisë rezulton se, në Shqipëri, qeveria shpenzon vetëm 644 euro në vit për qytetar. Në Bashkimin Europian, mesatarisht kjo normë fiksohet pranë 7,156 eurove për frymë në vit. Pra, qeveria shqiptare shpenzon për qytetarët e saj 11 herë më pak se ajo që shpenzojnë qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian. Ndërkohë, si vendi i parafundit në Europë sa i përket këtij indikatori renditet Turqia, me diçka më shumë se 1 mijë euro. Në Mal të Zi shifra fiksohet pranë 1,585 eurove për frymë, ose rreth 2.5 herë më shumë se në vendin tonë. Për Serbinë, shifrat flasin për 1,315 uro për frymë.

Në vend të parë në Europë renditet Luksemburgu, me plot 19,422 euro për frymë të shpenzuara nga qeveria e vendit për qytetarët e saj në një vit. Kjo shifër është plot 30 herë më e lartë se ajo që qeveria shqiptare shpenzon në vit për qytetarët e saj. Në Bashkimin Europian ndërkohë, në vend të parë renditet Danimarka, me rreth 14 mijë euro për frymë në vit, ose rreth 22 herë më shumë se në vendin tonë.

Pra, në drejtim të një prej treguesve më të rëndësishëm kur bëhet fjalë për vëmendjen që qeveria i jep qytetarëve të saj në lidhje me shërbimet që i ofron, por edhe me mbështetjen sociale, Shqipëria është jo vetëm e fundit në Europë, por 11 herë larg mesatares së unionit dhe 30 herë larg shtetit më të zhvilluar të Europës, Luksemburgut.

Nga ana tjetër, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore për të njëjtin tregues, por në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, në Shqipëri fiksohet pranë 11.8%, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian fiksohet në 22% dhe mesatarja globale pranë 17.1%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çfarë cilësie ka vaji i ullirit shqiptar? Sipas një renditje globale, ndër më të dobëtat, pozicionohemi të 32-tët mes 38 shteteve prodhuese

Postimi mëparshëm

Shqipëria përballë “gjigantëve”/ Krahasimi mes asaj që ekonomia jonë prodhon në vit me kompani si “Amazon”, “Apple”, “Google”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.