Raporte

Ekskluzive/ Moody`s skanon ekonominë shqiptare – Vitin e ardhshëm do ketë ngadalësim. Turizmi dhe integrimi, të vetmit faktorë pozitiv

0

Më datë 26 gusht gjigandi i vlerësimit të kreditit, Moody`s konfirmoi pa asnjë rishikim notën e borxhit sovran të Shqipërisë, në “B1 me perspektivë të qendrueshme”. Ndërkohë, këtë të martë, agjencia ka publikuar raportin periodik për vendin tonë, ku në analizë merret performanca e përgjithshme ekonomike dhe financiare e vendit, si dhe analizohet efekti i zhvillimeve më të fundit. “Scan Intel” e ka siguruar ekskluzivisht këtë raport.

Ajo që bie në sy më së shumti në këtë dokument është rishikimi i projeksioneve për rritjen ekonomike të vendit tonë këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Sa i përket vitit aktual, agjencia ka rritur projeksionet, duke u treguar më optimiste. Tashmë, Moody`s parashikon një rritje ekonomike të Shqipërisë pranë 3.8% këtë vit, nga 3.4% që parashikonte gjatë pranverës. Por, për vitin e ardhshme vijnë lajme të këqija, pasi agjencia ka shkurtuar projeksionet, nga 3.6% rritje ekonomike që parashikonte më parë, në vetëm 2.5%. Por, gjithsesi, mes reshtave në raport nënvizohet fakti se këto projeksione rrethohen nga një pasiguri e lartë për shkak të zhvillimeve të vazhdueshme në frontin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. “Rritja e kostove të materialeve dhe të energjisë krijon presione inflacionsite të vazhdueshme, duke sjellë një dobësim të kërkesës së brendshme dhe një rritje më të ulët ekonomike”-nënvizon agjencia, që ndër të tjera e vendos theksin edhe te energjia elektrike, duke qenë se Shqipëria është një vend i varur nga kushtet atmosferike. “Shkurtimet e energjisë elektrike si pasojë e thatësirës mund të dobësojnë rritjen ekonomike dhe të shtojnë shpenzimet e qeverisë nëpërmjet rritjes së importeve”-thekson Moody`s për Shqipërinë.

Në drejtim të inflacionit parashikohet që pjesën më të madhe të këij viti dhe vitit të ardhshëm të mbetet në nivele të larta, pranë 7% këtë vit dhe mesatarisht pranë 4% vitin e ardhshëm. Por, sa i përket vitit të ardhshëm, ngadalësimi i hapit të rritjes së çmimeve pritet të nisë nga fundi i vitit, duke projektuar kështu ritme të larta të rritjes së çmimeve edhe për pjesën më të madhe të vitit të ardhshëm.

Sa i përket arsyeve që mund të çojnë në një rishikim të notës së borxhit sovran të vendit, agjencia nuk ka bërë ndryshime krahasuar me raportin e kaluar, duke e vendosur theksin kryesisht me faktorë që kanë të bëjnë me stabilitetin dhe konsolidimin fiskal, dhe kryesisht normës së borxhit publik.

Ndër të tjera, agjencia nënvizon edhe faktin se performanca e Shqipërisë sa i përket sundimit të ligjit dhe kontrollit të korrupsionit mbetet relativisht e dobët.

Ambienti i polarizuar politik në vendin tonë dhe prania në Nato, duke pasur parasysh gjasat hipotetike të një lufte të mundshme dhe detyrimin e Shqipërisë për t`u përfshirë ushtarakidht, i japin gjithashtu një vlerësim negativ notës së borxhit sovran të vendit, pasi përbëjnë rrezik të shtuar.

Ashtu si edhe në raportet e kaluara, agjencia ndalet edhe te faktorët shtesë që përcaktojnë vlerësimin për notën e borxhit sovran të vendit tonë, siç është emigracioni i lartë, dobësimi progresiv i forcës së punës, pagesat e larta për shëndetësinë nga xhepi, të ardhurat e ulta, etj.

Dy aspektet e vetme pozitive në këtë raport ndërkohë duket të jenë turizmi dhe integrimi. Sa i përket turizmit agjencia sqaron se, flukset hyrëse në vendin tonë këtë vit kanë qenë më të larta edhe se nivelet e para-pandemisë. “Hapja formale e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian është një faktor pozitiv për notën e borxhit sovran të Shqipërisë, pasi në këndvështrimin tonë do të nxisë implementimin e reformave, çka do të mbështesë edhe forcën institucionakle të vendit. Ne presim që ky zhvillim të përmirësojë klimën e përgjithshme të biznesit si dhe të rrisë nivelin e Investimeve të Huaja Direkte”-nënvizon Moody`s në raport sa i përket impaktit të hapjes së negociatave në ekonominë shqiptare.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ulen lejet e ndërtimit/Tremujori i dytë me 2.3% rënie. Por gjithsesi, këtë vit, 23% më shumë se viti i kaluar

Postimi mëparshëm

Rikthehemi mes 10 vendeve me naftën më të shtrenjtë në planet/ Shqipëria renditet krah shteteve që kanë një pagë mesatare 8.3 herë më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.