Çmimet

Rikthehemi mes 10 vendeve me naftën më të shtrenjtë në planet/ Shqipëria renditet krah shteteve që kanë një pagë mesatare 8.3 herë më të lartë

0

Shqipëria është rikthyer sërish mes 10 vendeve me naftën më të shtrenjtë në botë. Për herë të fundit diçka e tillë ndodhte në mes të muajit qershor. Gjatë periudhës pasardhëse vendi ynë ka vijuar të qëndrojë në pjesën e sipërme të tabelës së shteteve me naftën më të shtrenjtë në planet, kryesisht mes 20 vendeve të para. Ndërkohë, me rritjen e çmimit të naftës në 248 lekë për litër, Shqipëria i është rikthyer klasifikimit fatkeq. Nafta në Shqipëri është më e lartë se vende si Finlanda, Gjermania, Luksemburgu, Singapori, Monako, Holanda, Spanja, Portugalia, Italia, Greqia, etj.

Ndërkohë, pranë Shqipërisë në klasifikimin e 10 vendeve me naftën më të shtrenjtë në botë renditen: Belgjika dhe Mbretëria e Bashkuar me një çmim pranë 250 lekëve për litër, Danimarka me rreth 257 lekë për litër, Islanda me 267 lekë për litër, Norvegjia me 275 lekë për litër, Zvicra me 282 lekë për litër, Suedia me 284 lekë, Hong Kongu me 323 dhe Zimbabwe me 326 lekë për litër. Kujtojmë se për një pjesë të këtyre vende, siç është rasti i Italisë, ka incentiva shtesë për konsumatorin final, siç është pezullimi i pagesës së akcizës, gjë që e zbret edhe më tej çmimin.

Me përjashtim të Zimbabwes, të gjitha vendet e tjera të listës së 10 dhe 20 shteteve me çmimin më të lartë të naftës në botë kanë një nivel të ardhurash, jetese dhe ekonomie disa herë më të larta se vendi ynë.

“Scan Intel” i ka analizuar shifrat për të kuptuar krahasimin e Shqipërisë me këto vende, me të cilat ndan pozita të përafërta sa i përket çmimit të karburantit.

Në Shqipëri paga mesatare neto mujore fiksohet pranë rreth 400 eurove, ndërkohë që 9 vendet e tjera me të cilat ndajmë listën e 10 shteteve me naftën më të shtrenjtë në planet kanë një pagë mesatare neto mujore prej rreth 3327 eurosh (në këtë mesatare është përfshirë edhe Zimbabwe). Kjo do të thotë se Shqipëria ofron një çmim nafte të ngjashëm me vende të cilat ofrojnë një pagë mesatare rreth 8.3 herë më të lartë se Shqipëria.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ekskluzive/ Moody`s skanon ekonominë shqiptare – Vitin e ardhshëm do ketë ngadalësim. Turizmi dhe integrimi, të vetmit faktorë pozitiv

Postimi mëparshëm

Bizneset “dynden” drejt kredive në Euro/ Huaja e re në Korrik arrin në 24.4 mld lekë. Në rënie për individët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.