Financë

Depozitat, me rënie për të 6-tin muaj me radhë/ Tkurren me 1.2% në Korrik, zhvlerësimi i euros, shkaktari kryesor

0

Depozitat në paranë e gjerë kanë rënë për të gjashtin muaj me radhë gjatë Korrikut, sinjalizojnë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Kështu, shifrat e Korrikut flasin për 1.23 trilionë lekë depozita, nga rreh 1.24 trilionë lekë të muajit Qershor. Tkurrja e depozitave në paranë e gjerë ka nisur që në muajin Shkurt dhe nuk është ndalur mëqë prej atëherë, duke arritur në Korrik nivele thuajse të njëjta me ato të Majit të vitit 2022. Pra, në harkun e pak më shumë se një viti, depozitat bankare kanë mbetur thuajse të pandryshuara.

Në Korrik depozitat në paranë e gjerë janë tkurrur me plot 1.2%, njësoj sa ishte tkurrja në Shkurt të këtij viti. Në të dyja rastet bëhet fjalë për rënien më të madhe mujore të depozitave bankare që prej Prillit të vitit 2020, në kulmin e stuhisë dhe panikut që shkaktoi pandemia.

Sa i përket depozitave në lekë, rënia është më e kontrolluar në Korrik, prej vetëm 0.3% në terma mujorë, dhe depozitat kanë zbritur pranë 546 miliardë lekëve. Nga krahu tjetër, ato në valutë regjistrojnë një rënie më të madhe, prej 1.8%, por që është kryesisht efekt i kursit të këmbimit, pasi për arsye statistikore depozitat në valutë konvertohen në lekë.

Edhe nëse shohim agregatët monetarë, shifrat sinjalizojnë të njëjtën gjë, se, tkurrja e depozitave është thuajse ekskluzivisht rrjedhojë e zhvlerësimit drastik të euros. Kujtojmë se gjatë Korrikut, monedha e përbashkët europiane arriti thuajse “barazinë” me lekun, duke arritur shumë pranë nivelit të konvertimit 1 me 100. Ndërkohë që agregati monetar M3 që i referohet pikërisht parasë së gjerë dhe që përfshin edhe llogaritë bankare në valutë ka rënë ndjeshëm, agregatët e tjerë monetarë, përfshirë atë të parasë jashtë sistemit janë regjistruar në rritje të lehtë gjatë Korrikut.

Nga ana tjetër, nëse shohim treguesin e depozutave sipas monedhave, jo sipas indikatorit të parasë së gjerë, që përfshin ndryshe nga ky i fundit edhe paratë e jo-rezidentëve (të huajve), shohim se depozitat në euro janë rritur me 1.9% në Korrik, ose me rreth 130 milionë euro në një muaj. Kjo tendencë konfirmon kështu fluksin e lartë të injektimit të monedhës së përbashkët europiane në ekonominë shqiptare, çka ka ndikuar edhe në zhvlerësimin e euros.

Pra, duket se zhvlerësimi i euros ka zhvlerësuar ndjeshëm edhe depozitat e shqiptarëve dhe ky zhvlerësim vijon për të gjashtin muaj me radhë. Të dhënat e Gushtit ndërkohë, të cilat do të reflektojnë edhe forcimin e euros pritet të hedhin edhe më shumë dritë mbi këtë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Këtë verë, popullsia e Shqipërsë, 3.6 milionë – FunData/ 1 në 8 njerëz me të cilët jemi shkëmbyer ka qenë i huaj

Postimi mëparshëm

Kredia në Korrik, niveli më i ulët që nga pandemia/ Huaja e re për biznesin bie pranë niveleve minimale historike, bashkë me atë për blerje banese në euro

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.