Financë

Kredia në Korrik, niveli më i ulët që nga pandemia/ Huaja e re për biznesin bie pranë niveleve minimale historike, bashkë me atë për blerje banese në euro

0

Huaja e re gjatë Korrikut ka rënë ndjeshëm, pranë nivelit më të ulët që prej Korrikut të vitit 2020, kur vendi prekej nga pandemia e po ashtu edhe ekonomia. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i huasë së re gjatë Korrikut fiksohet pranë 22 miliardë lekëve. Ky nivel është më i ulët se ai i dy viteve pararendëse, kur Korriku regjistronte një nivel kredie të re pranë rreth 24 miliardë lekëve. Në Korrik të 2020-ës ndërkohë, kjo shifër fiksohej pranë 21 miliardë lekëve.

Segmenti që duket se ka dhënë ndikimin kryesor në këtë tkurrje të kreditimit është sektori privat. Ky i fundit regjistron vetëm 15.8 miliardë lekë kredi të re gjatë Korrikut. Edhe pse në rënie jo shumë të theksuar krahasuar me vitet paraardhëse, bëhet fjalë për shifrën më të ulët të regjistruar ndonjëherë gjatë muajit të 7-të të vitit, të paktën që prej vitit 2016 kur nis edhe seria kohore e statistikave publike të Bankës së Shqipërisë në lidhje me këtë tregues.

Treguesi tjetër, ai i kredisë së re për individët ndërkohë ëshët regjistruar gjithashtu në rënie gjatë Korrikut të këtij viti, pranë 6.6 miliardë lekëve, Kjo shifër vihet re në rënie modeste krahasuar e të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur kredia e re ishte rreth 6.7 miliardë lekë, por gjithsesi është niveli më i ulët që prej Korrikut të vitit 2020.

Kredia për blerje banese nga individët regjistrohet gjithashtu në rënie, pranë 2.76 miliardë lekëve, nga mbi 3 miliardë lekë që kishte qenë gjatë periudhës pararendëse. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me nivelin më të ulët prej 2020-ës. Rënien më të madhe në këtë segment e regjistron pikërisht kredia e re për blerje banese në euro, që ka zbritur pranë vetëm 897 milionë lekëve, shumë larg niveleve të muajve të mëparshme. Në këtë tendencë pa diskutim që ka dhënë efekt luhatja dhe zhvlerësimi i ndjeshëm i monedhës së përbashkët europiane në tregun e brendshëm valutor. Ky zhvillim ka pasur efekte si te kërkesa e individëve ashtu edhe te oferta dhe kushtet e kreditimit të bankave.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Depozitat, me rënie për të 6-tin muaj me radhë/ Tkurren me 1.2% në Korrik, zhvlerësimi i euros, shkaktari kryesor

Postimi mëparshëm

Vetëm 7 vende nuk e kanë “shkelur” Shqipërinë këtë vit/ Habit Instat! 1872 koreano-veriorë na kanë vizituar në 7 muaj, më shumë se koreano-jugorët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.