Financë

Fatura paraprake e “kolapsit” të euros/ Forcimi i lekut “dogji” në pak muaj 30 miliardë lekë, mes depozitave dhe remitancave

0

Kursi i këmbimit mes euros dhe monedhës vendase ka pësuar padiskutim luhatje të ndjeshme gjatë muajve të fundit. Rënia drastike e euros ka nisur që prej vitit të kaluar, por është thelluar më tej gjatë muajve të parë të këtij viti, për të prekur rekorde të reja gjatë prillit, duke i`u afruar nivelit të 110 lekëve. Padiskutim që kjo luhatje e madhe e euros, një monedhë që gjen përdorim të gjerë në ekonominë tonë, ka sjellë pasoja. “Scan Intel” ka analizuar disa prej këtyre pasojave, duke nisur që nga depozitat në valutë.

Në rast se shohim raportin vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2022 shohim se depozitat e sigurueshme në euro përbëjnë 48% të totalit, kundrejt 46% që janë ato në lekë, ndërkohë që një pjesë e vogël ndahet mes dollarit amerikan dhe paundit britanik. Pra, siç e shohim qartë, depozitat në euro përfaqësojnë thuajse gjysmën e totalit. Sipas Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, ky 48% i depozitave të sigurueshme në euro përkthehet në 684.5 miliardë lekë në vitin 2022. Me rënien e ndjeshme të euros në tregun vendas këto depozita kanë humbur ndjeshëm vlerë. Në rast se do ta konvertonim këtë shifër me kursin e këmbimit të euros me lekun në fund të 2022-shit pranë 115 lekëve dhe sot, pranë 111 lekëve, do të shihnim se vlera e parasë së humbur për shkak të kësaj rënie të ndjeshme të monedhës europiane në tregun vendas përkthehet në 23.8 miliardë lekë ( ose rreth 210 milionë euro). Kjo shifër tregon qartë efektin e kolapsit të euros në tregun vendas, si dhe efektin e varësisë së ekonomisë sonë ndaj monedhës së përbashkët europiane.

Kjo humbje e përllogaritur “vlen” vetëm nëse këto para të depozituara në sistemin bankar do të shpenzoheshin nga poseduesit e tyre të konvertuara në monedhën vendase. Por, duke pasur parasysh nivelin e lartë të euroizimit të ekonomisë shqiptare, kjo duket e “pamundur” në masë, çka amortizon disi “faturën”.

Një tjetër aspekt i efektit të dobësimit të euros për familjet shqiptare duket të jenë edhe remitancat, të cilat kanë një peshë të konsiderueshme në ekonomi. Gjatë vitit të kaluar, dërgesat e emigrantëve prekën një rekord të ri historik, pranë 833 milionë eurove. Duke pasur parasysh edhe gjeografinë e emigrantëve shqiptarë si dhe raportin e euros në “tortën” e depoziatve karshi monedhave të tjera, si dollari amerikan dhe paundi, supozojmë se pjesa dërrmuese e remitancave janë gjithashtu në monedhën e përbashkët europiane. Nga ana tjetër, edhe këto valuta të tjera kanë pësuar një rënie të konsiderueshme në tregun vendas. Me kursin mesatar të këmbimit pranë 119 lekëve mes lekut dhe euros përgjatë të gjithë vitit të kaluar, këto remitanca konvertohen në rreth 99 miliardë lekë. Në rast se do ta konvertonim me kursin e sotëm, pranë 111 lekëve, atëherë vlera zbret në 92.5 miliardë lekë, çka përkthehet në 6.5 miliardë lekë të humbura, ose rreth 58 milionë euro. Pra, emigrantët shqiptarë jashtë këtë vit duhet të dërgojnë rreth 60 milionë euro më shumë remitanca në mënyrë që familjet shqiptare të mos vuajnë pasojat e kursit të këmbimit. Edhe në këtë rast, kjo humbje është e vleshme nëse këto para do të përdoren për t`i kryer transaksionet në lekë, dhe jo në monedhën e dërguesit.

Kjo përllogaritje përfaqëson vetëm një faturë paraprake të kostove të mbiçmimit të lekut në tregun vendas, kryesisht për familjet shqiptare, ndërkohë që nuk duhet harruar fakti se një goditje të madhe po marrin edhe eksportuesit e produkteve “Made in Albania”, duke qenë se këto të fundit po bëhen më pak të konkurrueshme në tregjet e huaja.

Shifrat e publikuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë mbi depozitat dhe agregatët monetarë nxjerrin në pah arsyen kryesore të kësaj situate, duke qenë se sinjalizojnë më pak lekë në qarkullim në ekonominë shqiptare, si në banka, si jashtë saj. Ndërkohë, shkaku kryesor i “largimit” të lekut mbetet ende i paqartë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tregtia vijon të kryesojë kreditimin/ “Shëndetësia” rritje rekord, renditet në vend të dytë dhe përbën 16% të totalit

Postimi mëparshëm

Çmimet normalizojnë shifrat e transportit/ Rreth 13.5% më shumë mallra përmes detit, me rritje pasagjerët dhe fluturimet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.