Transport

Çmimet normalizojnë shifrat e transportit/ “Mallrat nga deti”, qarkulluan 8.8% më shumë në tremujorin e katërt

0

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT rezulton se volumi i mallrave të transportuara në rrugë detare që zë dhe peshën më të madhe të mallrave të transportuara gjithsej ka shënuar rritje edhe në tremujorin e fundit të vitit 2023. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në portet detare është rritur me 8.8%. Në terma absolutë themi se volumi i mallrave të tregtuara me det, duke përfshirë eksportet dhe importet, është 1,739 mijë ton. Tregtia e mallrave është favorizuar nga normalizimi i çmimeve dhe rënia e euros, faktorë këto që kanë nxitur rritjen e volumit të mallrave të blera. Kjo rritje konfirmohet edhe nga të dhënat e tregtisë së jashtme më herët.

Konkretisht, volumi i mallrave të eksportuara me det gjatë tremujorin e katërt 2023 zë 41.8% të totalit të mallrave të eksportuara. Ndërkohë, volumi i mallrave të importuara me det zë 63.6% ndaj totalit të mallrave të importuara. Si mjet kryesor për transportin e mallrave është përdorur anija. Shifrat tregojnë se kanë hyrë dhe dalë gjithsej nga portet 207 anije nga të cilat 168 janë të huaja dhe 39 vendase. Numri i anijeve të hyra dhe të dala rezulton të jetë rritur me 81.6% , ndërkohë që një rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe anijet e huaja me 80.6%. Për transportin e këtyre mallrave janë shfrytëzuar 4 portet detare që operojnë në Shqipëri, përkatësisht porti i Durrësit, i Vlorës, i Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë). Rreth 94.3% e mallrave totale u transportuan në portin e Durrësit. Përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2023 volumi i mallrave të transportuara nga Porti i Durrësit u rrit me rreth 7.5%, krahsuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar se cilat grupmallra janë importuar dhe eksportuar më shumë në rrugë detare. Të dhënat tregojnë se grupi “Metale bazë produkte metalike të fabrikuara” përbëjnë 14.2% të mallrave të transportuara nga portet, grupi “Koks dhe produktet e rafinuara të naftës” përbëjnë 12.7% të mallrave të transportuara dhe grupi i mallrave “Produkte të tjera minerale” përbëjnë 11.2% të mallrave të transportuara.

Po të njëjtët porte kanë shërbyer edhe për transportin e pasagjerëve. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar gjithsej nëpërmjet porteve detare në vend është 197,377. Ndërkohë, 64.7% e personave kanë zgjedhur portin e Durrësit duke e renditur kështu si portin kryesor me 127,600 shtetas të hyrë dhe të dalë, më pas ndjek porti i Sarandës, i cili u përdor nga 24.9% e pasagjerëve dhe përmes portit të Vlorës erdhën dhe u larguan 10.4% e pasagjerëve.

Në një analizë më të gjerë, shifrat vjetore tregojnë se përgjatë gjithë vitit 2023, numri i pasagjerëve që udhëtuan në rrugë detare ishte 2.8 milionë, numri më i lartë i të cilëve ka qenë në tremujorin e tretë që përfshin periudhën Korrik-Shtator 2023.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Transporti ajror performon “lart”/ Fluturimet u rritën me 31%, u regjistruan rreth 7.3 milionë pasagjerë

Postimi mëparshëm

E ardhmja e makinave në “duart” e Audit? Rreth 94.1% më shumë makina të regjistruara për herë të parë në T4-2023

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.