Transport

Transporti ajror performon “lart”/ Fluturimet u rritën me 31%, u regjistruan rreth 7.3 milionë pasagjerë

0

Sipas të dhënave më të fundit të “Institutit të Statistikave”, në vitin që lamë pas, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar gjithsej rreth 305 mijë avionë, nga të cilët 83% të tyre e zë numri i mbikalimeve. Numri i fluturimeve në vendin tonë për vitin 2023 është regjistruar në 51 mijë, duke shënuar një rritje me 31%, krahasuar me një vit më parë.

Vetëm gjatë tremujorit të katërt të vitit 2023 numri i fluturimeve u regjistrua në 13.8 mijë, ndërkohë që numri i pasagjerëve nëpërmjet rrugëve ajrore llogaritet në 1.8 milionë. Krahasuar më të njetin tremujor të vitit të kaluar, numri i pasagjerëve u rrit me 48.3%.

Sipas të dhënave zyrtare nga “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës” ka patur rritje domethënëse në numrin e pasagjerëve, në kapacitetin e vendeve dhe në faktorët e ngarkesës, duke treguar një angazhim serioz për pasagjerët. Referuar shifrave, në vitin 2023, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka mirëpritur 40% më shumë pasagjerë, duke arritur një shifër prej 7,3 milionë pasagjerësh. Kjo rritje e jashtëzakonshme nënvizon rolin thelbësor që ka aeroporti në lehtësinë e udhëtimit dhe ofrimit të lidhjeve mes destinacioneve.

Sa i përket vendeve, të dhënat tregojnë se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës u rrit me 37% në terma të kapacitetit, duke çuar në një numër total prej 4,2 milionë vendesh nga rreth 3,1 milionë që ishte në vitin 2022.

Nëse do të flisnim për volumin e mallrave, rezulton se përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2023 volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 515,4 ton.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në Shqipëri, 1 në 4 të rinj ndjek një kurs online/ Eurostat: Renditemi poshtë mesatares së Bashkimit Europian

Postimi mëparshëm

Çmimet normalizojnë shifrat e transportit/ “Mallrat nga deti”, qarkulluan 8.8% më shumë në tremujorin e katërt

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.