Tregjet

Cilët janë tatimpaguesit më të mëdhenj në Shqipëri? “BKT”, “BALFIN”, “KASTRATI”. 10 më të mëdhenjtë derdhën 37.4 mln euro në arkat e shtetit, 16% të totalit

0

“Scan Intelligence Unit” ka analizuar kompanitë më të mëdha në vend për të kuptuar se cilët janë tatimpaguesit më të mëdhenj, dhe për të dalë me një listë të 10 kryesuesve. Shifrat i referohen vitit 2020 dhe vetëm tatimit mbi fitimin, pra duke përjashtuar edhe taksa të tjera të drejtpërdrejta ose jo, që bizneset, e sidomos bizneset e mëdha derdhin në arkat e shtetit çdo vit. Ndër të tjera, klasifikimi përfshin grupe sipërmarrëse dhe jo vetëm kompani, por që kanë të njëjtën pronësi. Në total gjatë të gjithë vitit 2020 shteti shqiptar mblodhi në arkat e veta 28.38 mld lekë në formën e tatimit mbi fitimin, ose rreth 233.7 mln euro. Dhjetë grupet e para në listën e kontribuesve më të mëdhenj në këtë zë të rëndësishëm të buxhetit të shtetit përfaqësojnë rreth 16% të totalit, pavarësisht se ato përbëjnë vetëm 0.006% të totalit të bizneseve që operojnë në vendin tonë. Në total, vetëm këto 10 grupe kanë paguar 37.4 mln euro tatim mbi fitimin. Sa i përket 30 tatimpaguesve më të mëdhenj ndërkohë, vlerësohet të kenë derdhur në arkat e shtetit rreth 60 milionë euro gjatë vitit 2020, ose 25.6% të totalit.

Ndërkohë, le të ndalemi te lista e 10 tatimpaguesve më të mëdhenj në vend, të cilën e kryeson “Banka Kombëtare Tregtare”, e grupit turk “Çalik Holding” me rreth 10 milionë euro të derdhura në arkat e shtetit. Në vend të dytë ndërkohë renditet grupi më i madh me pronësi shqiptare, “BALFIN”, i biznesmenit Samir Mane dhe që përfshin një sërë sipërmarrjesh, mes të cilave: Neptun, QTU, TEG, Spar, Green Coast, Mane TCI, Tirana Bank, Kid Zone (Jumbo), etj. Ky grup ka derdhur në arkat e shtetit rreth 6.15 milionë euro në formën e tatimit mbi fitimin sa i përket vitit fiskal 2020. Në vend të tretë ndërkohë gjejmë kompanitë e grupit “Kastrati”, me rreth 4.3 milionë euro tatim-fitim të paguar. Kompanitë e Grupit Kastrati operojnë në sektorë të ndryshëm, si: hidrokarburet, tregu i sigurimeve, ndërtimi, apo mirëmbajtja dhe manaxhimi i infrastrukturës, etj.

Sa i përket tre tatimpaguesve më të mëdhenj në vend për vitin 2020, që është edhe viti i fundit fiskal kur të dhënat dhe bilancet e kompanive janë publike, nuk ka asnjë ndryshim sa i përket renditjes krahasuar me vitin pararendës. Sa i përket normës së tatimfitimit të paguar, vetëm BKT raporton një rritje të lehtë, ndërsa dy të tjerat raportojnë rënie, që vjen si pasojë e tkurrjes së fitimeve, rrjedhojë e vitit pandemik.

Lista e 10 tatimpaguesve më të mëdhenj në vend vijon me: OSSH, Raiffeisen, Finman Group, One Telecommunications, kompanitë e sipërmarrësit Luan Leka (Conad, EHW, Qafshtama, IBS, etj), Banka Credins dhe në fund Alb-Building Group.

Në listën e zgjeruar të tatimpaguesve më të mëdhenj në Shqipëri ndodhen edhe një pjesë e madhe e bankave që operojnë në vend, duke dëshmuar se ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet e orientuar ngushtësisht drejt sektorit të shërbimeve, më tepër se sa në atë të prodhimit.

Kujtojmë se norma e tatimit mbi fitimin në vendin tonë fiksohet pranë 15% dhe këtij regjimi i nënshtrohen thuajse të gjitha sipërmarrjet të cilat paguajnë TVSH, me disa përjashtime, sidomos për biznesin e vogël.

Kontributi i 10 grupeve sipërmarrëse më të mëdha në vend në arkat e shtetit është gjithashtu i barabartë me thuajse 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë vitit 2020.

Kujtojmë gjithashtu se së fundmi FMN i ka bërë një sërë propozimesh qeverisë shqiptare sa i përket reformës së taksave, ku merr një rëndësi të veçantë informaliteti, pra përmirësimi i aftësisë së qeverisë për të mbledhur të ardhura, gjë e cila sipas institucionit vjen edhe duke taksuar biznesin e vogël dhe duke e formalizuar atë, por edhe të vetëpunësuarit. Këta të fundit, edhe pse zënë rreth 40% të totalit të të punësuarve dhe operojnë kryesisht si biznes, aktualisht japin një kontribut të papërfillshëm në buxhetin e shtetit. Formalizimi i kësaj pjese të konsiderueshme të ekonomisë do të kishte impakt të ndjeshëm në të ardhurat e shtetit, e për rrjedhojë edhe në investimet publike.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pandemia i mori Elbasanit 2.8 vite jetë/ Tirana ndjek me 2.7 vite të “humbura”, Dibra i vetmi qark me rritje të jetëgjatësisë

Postimi mëparshëm

Inflacioni, në 3.8% sipas Eurostat / Norma e njejtë me atë të dhjetorit, çmimet rriten më pak se në Europë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.