Tregjet

Biznesi i bulmetit/ Analiza e tregut, rreth 35 mln euro xhiro, fitime të ulta, 2 kompani kontrollojnë 65%

0

“Scan Intel” vijon analizën në bllok të tregjeve të caktuara, këtë herë me industrinë e përpunimit të qumështit. Ky cikël ka nisur fillimisht me laboratorët mjekësore private, spitalet, vijoi me atë të supermarketeve, ujit të pijshëm, industrinë e librit, automjeteve, sallamerisë dhe mishit etj. Për t’u rikthyer te industria e përpunimit të qumështit, kemi marrë në analizë disa prej kompanive më të mëdha në vend që operojnë në këtë sektor, sa i përket të ardhurave.

Në analizë përfshihen 16 kompani, të ardhurat e të cilave të marra së bashku përafërsisht arrijnë në vlerën e 4 mld lekëve, ose rreth 34 milionë euro. Në këtë shifër mungon “Orhan”, bilancet e të cilës nuk janë publike për vitin 2020. Por, kjo kompani gjatë viteve të kaluara raporton shifra të ardhurash në rreth 1 milionë euro, çka do të thotë se ky treg qarkullon rreth 35 milionë euro, të paktën sa i përket kompanive me kapacitet të lartë përpunues. Nga analiza e pasqyrave financiare për vitin 2020, rezulton se “LUFRA” është kompania me nivelin më të lartë të të ardhurave. Rreth 1,36 mld lekë rezulton të jetë xhiro vjetore për këtë subjekt gjatë 2020-ës, duke e pozicionuar në vend të parë, ndër 16 të tilla që janë marrë në studim. “ERZENI” është në vend të dytë, të ardhurat e të cilës për vitin 2020 llogariten në 1,22 mld lekë, duke e renditur atë të dytën në listën e 16 kompanive të specializuara në përpunimin e qumështit dhe bulmetit me të ardhurat më të larta vjetore. Pra, këto dy kompani përbejnë rreth 2/3 e tregut, ose 65% të tij.

“GJIROFARMA”, “MIRELI”, “ZEPA NATYRAL”,”DELTA DONI” “SHAKA” dhe “NAFA” janë gjashtë kompanitë e tjera që plotësojnë 8 vendet e para, përkatësisht 409 mln lekë të ardhura për “GJIROFARMA”, 185 mln lekë të ardhura për “MIRELI”, 144 mln lekë për “ZEPA NATYRAL”, 140 mln lekë për “DELTA DONI”, 136 mln lekë për “SHAKA” dhe 113 mln lekë për “NAFA”.

Sa i përket fitimit neto, është po “LUFRA” kompania që mban vendin e parë. Rreth 74 mln lekë llogaritet fitimi neto për këtë kompani në 2020-ën. “ERZENI” renditet në vend të dytë, me 65 mln lekë, i ndjekur nga “GJIROFARMA”, me 17 mln lekë dhe “ZEPA NATYRAL” me 11,3 mln. Në vend të 5-të ndjek “MIRELI”, me 7,3 mln lekë, “SHAKA” dhe “NAFA”, me përafërsisht 5 mln lekë fitime. Në total, kompanitë e marra në analizë kanë raportuar gjatë 2020-ës rreth 104 milionë lekë fitime neto, ose 870 mijë euro. Ndërkohë fitimi mesatar neto i të 16-të kompanive rezulton në 6,5 milionë lekë për vitin 2020.

Si për të ardhurat, ashtu edhe për fitimet neto të kësaj industrie, rritja tenton të jetë konstante, herë pas here me një rritje të lehtë. Por, në rastin e fitimeve të industrisë, vihet re një ulje e ndjeshme në 2020-ën, me rreth 43% krahasuar me vitin 2019. Ndërkohë që për 8 kompanitë në krye të listës duket se ka pasur një rritje të qëndrueshme ose të lehtë të të ardhurave, subjektet me përmasa më të vogla kanë pësuar renie të fitimit neto, madje kanë rezultuar dhe me humbje.

Sa i përket përqindjes marxhinale të fitimit, analiza e bilanceve të këtyre kompanive tregon se mesatarisht për të katër vitet e marra në analizë, kjo normë ngjitet nga 6%-9% për subjektet me të ardhura më të larta dhe 1%-4% përsa i përket subjekteve të tjera, referuar periudhës 2017-2020.

Nëse do t`i referohemi industrisë së përpunimit të qumështit në total, për vitin 2020 të ardhurat gjithëpërfshirëse për 16 kompanitë e marra në shqyrtim, kapin vlerat e 4 mld lekëve, 4,2 mld lekë për vitin 2019, 3,7 mld lekë për vitin 2018 dhe 2,8 mld lekë për vitin 2017, çka sinjalizon se është një industri stabël nga viti në vit. Bazuar sërish mbi të dhënat e deklaruara në pasqyrat financiare të këtyre subjekteve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, për periudhën 2017-2020, e ardhura neto e industrisë arrin vlerat 104 mln lekë, 182 mln lekë, 162 mln lekë dhe 91 mln lekë respektivisht për vitet 2020, 2019, 2018, 2017.

Nese do të bejmë një raport të fitimit neto ndaj të ardhurave gjithëpërfshirëse, rezulton se përqindja marxhinale e fitimit të industrisë është 3% për vitin 2020, ndjekur nga 4% për vitin 2019, 4% për vitin 2018, 3% për vitin 2017.

Këto të dhëna i atribuohen shifrave të grumbulluara nga QKB për 16 prej kompanive më të mëdha të kësaj industrie të marra në analizë nga “Scan Intel”. Në rastin e “Zepa Natyral”, të dhënat janë vënë në dispozicion nga vetë kompania, duke qenë se “Zepa Natyral” operon nën subjektin “AGS”, që nuk ka si objekt vetëm përpunimin e qumështit, por edhe aktivitete të tjera.Theksojmë se për “Orhan”, të dhënat në QKB mungojnë për vitin 2020, si të ardhurat, ashtu edhe fitimet, dhe kjo kompani nuk përfshihet në renditjen për vitin 2020 dhe as në totalin e performancës së industrisë për këtë vit.



*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

SCAN Intel

Tirana rrit “monopolin” në ekonomi/ Bashkë me Elbasanin dhe Vlorën zgjerojnë peshën në strukturën e PBB-së, humbasin Fieri dhe Durrësi

Postimi mëparshëm

Rriten pagat me 6.6% në vitin 2021/ Edhe papunësia në rënie të lehtë, por tregu i punës vijon me problematika

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.