Tregjet

Aleat, konçesioni më fitimprurës në Shqipëri, – Fitoi 17 mln euro në 2020-ën, lista e plotë e 174 konçesioneve sipas bilanceve

0

Analiza e fundit e “Scan Intelligence Unit” është ndalur te Shoqëritë Konçensionare në vendin tonë dhe bazohet në të dhënat e OpenCorporates.al dhe QKB (Qëndra Kombëtare e Biznesit). Në Shqipëri rezultojnë gjithsej 276 shoqëri të tilla të kontraktuara nga ministritë përkatëse. Nga këto 276 shoqëri, 174  kanë depozituar bilancin në QKB. Pjesa tjetër rezulton pa bilanc, të përfunduara, por edhe në rastet kur ekzistojnë këto bilance, janë “bosh”. Sipas këtyre të dhënave, kontraktuesit më i mëdhenj rezultojnë të jenë Ministria e Ekonomisë si dhe ajo e Infrastrukturës.

Sipas bilanceve të depozituara në QKB, shoqëria konçensionare me të ardhurat më të larta për vitin 2020 është "ALEAT", objekti i së cilës është prodhimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Për vitin 2020, të ardhurat prekin vlerat e 6.1 mld lekë, ose rreth 50  milionë euro, duke e pozicionuar në krye të “piramidës” së shoqërive konçensionare. Në krahasim me 2019, "ALEAT" ka arkëtuar rreth 173 mln lekë të ardhura më shumë. "GJOKA 87" dhe "Tirana International Airport" janë 2 shoqëritë e tjera, të ardhurat e të cilave për vitin 2020 renditen në vend të 2-të dhe të 3-të respektivisht. "GJOKA 87", objekt i së cilës është përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e "Rrugës së Arbërit", regjistron të ardhura për vitin 2020 që arrijnë në vlerat e rreth 5.8 mld lekë. Krahasimi me 2019-ën tregon se, niveli i të ardhurave është rritur me rreth 228 mln lekë. E renditur e 3-ta për 2020-ën, por e para në 2019-ën për nga niveli i të ardhurave, është "Tirana International Airport", objekt i së cilës si shoqëri konçesionare është ndërtimi, vënia në punë, operimi dhe mirëmbajtja e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Të ardhurat për këtë shoqëri në 2019-ën regjistroheshin në vlerat e 6.9 mld lekë, kundrejt 3.2 mld lekë për vitin 2020. Kjo tregon një tkurrje prej 53.54%, një përgjysmim në nivelin e të ardhurave. Efektet negative të pandemisë duket se kanë prekur vetëm Tirana International Airport, pasi për 2 shoqëritë e tjera efektet duken të papërfillshme.

Shoqëri të tjera, të ardhurat e të cilave për vitin 2020 prekin vlerat e mbi 2 mld lekëve janë: "DEVOLL HYDROPOWER", me rreth 2.5 mld lekë, Integrated Energy BV SPV, me rreth 2.3 mld lekë dhe "Albanian Highway Concession" (konçesioni i mbirëmbajtjes së "rrugës së kombit"), me rreth 2.2 mld lekë. Nga këto 3 shoqëri, "DEVOLL HYDROPOWER" dhe "Integrated Energy BV SPV" kanë shënuar rritje në nivelin e të ardhurave, krahasuar me të ardhurat që këto shoqëri kanë depozituar në bilanc për vitin 2019.

Për sa i përket fitimeve për vitin 2020, edhe këtu, "ALEAT" kryeson listën. Për 2020, "ALEAT", konçesioni i pasaportave dhe kartave të identitetit regjistron një fitim prej 2.09 mld lekë, ose rreth 17 milionë euro. Krahasimi me 2019 tregon se "ALEAT" rriti fitimet me rreth 184 mln lekë, rritje që fiksohet në 8.76%. Renditja vazhdon me "DITEKO", objek i së cilës është ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e hidrocentralit “Lumi Zalli i Okshtunit”. Sipas bilanceve të depozituara në QKB për vitin ushtrimor 2020, fitimi fiksohet në shifrat e 754 mln lekë. Në 2019 kjo shoqëri regjistronte fitim mbi 1.1 mld lekë. Në vend të 3-të gjejmë shoqërinë "ALB-ENERGY", e kontraktuar nga Ministria e Ekonomisë, dikur Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës objekt i së cilës është ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e hidrocentraleve "Bele 2" dhe "Topojan 1". Fitimet për këtë shoqëri për vitin 2020 fiksohen në ulje, krahasuar me atë të një viti më parë, me rreth 86.6 mln lekë.

Humbjet më të mëdha si pasojë e pandemisë, regjistrohen për "Tirana International Airport", ku në 2019 fitimet preknin vlerën e 2.5 mld lekë, kundrejt 415 mln lekë për vitin 2020. Rënia fiksohet në shifrat e 83.5% ose shprehur në mjete monetare, rreth 2.1 mld lekë, por pavarësisht kësaj, shoqëria konçesionare ka dalë me fitim.

Shifrat në total tregojnë se, nga 174 kompani konçesionare të cilat kanë dorëzuar një bilanc në QKB për vitin 2020, 52 prej tyre kanë dalë në humbje, dhe 101 me fitim. Për 21 prej tyre ndërkohë, bilanci rezulton me zero. Por cilat janë koncesionet që regjistrojnë humbjet më të mëdha për vitin 2020? Në vend të parë ndër ato me humbjet më të mëdha gjejmë “Ayen Energy”, me një total humbjesh prej rreth 1.8 miliardë Lekë, ose rreth 15 milionë euro. Kjo shoqëri konçesionare ka si objekt ndërtimin, operimin dhe transferimin e 3 hidrocentraleve. Në vend të dytë në listën e kompanive konçesionare me humbjet më të mëdha për 2020-ën ndjek “Durrës Container Terminal”, me rreth 834 milionë lekë humbje, ose rreth 6.8 milionë euro humbje. Kjo kompani ka si objekt konçesioni operimin e terminalit të konteinerëve në portin e Durrësit.  Në vend të tretë ndërkohë, gjejmë një prej kompanive me të ardhurat më të larta për vitin 2020, “Devoll Hydropower”, humbjet e së cilës fiksohen në 744 milionë lekë për vitin, ose rreth 6.1 milionë euro. Niveli rekord it ë ardhurave nuk e ka shpëtuar dot kompaninë nga humbje gjithashtu rekord për vitin 2020.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet “mashtrojnë” tregtinë e jashtme, – Eksportet dhe importet rriten me mbi 30% gjatë shtatorit, por u nxitën nga inflacioni

Postimi mëparshëm

Industria fasone tejkalon krizën, -Eksportet afër rekordit historik në shtator, importet me rekord

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.