Sociale

Aksesi i grave në vendimmarrje/ Përmirësohet përfaqësimi gjinor, por mbetemi akoma në nivele të ulta

0

Përfaqësimi gjinor në vendimmarrje është përmirësuar vitet e fundit dhe këtë e pohon jo vetëm indeksi i barazisë gjinore, por edhe të dhënat e publikuara nga INSTAT, të dhëna këto që i referohen vitit të kaluar, pra vitit 2022.

“Scan Intel” ka analizuar aksesin e grave në organe të rëndësishme si  Parlamenti, Strukturat e Policisë, Forcat e Armatosura dhe fusha të tjera. E përkthyer në shifra, konstatojmë se në Kuvendin e Shqipërisë ka patur një rritje progresive të grave në vendimmarrje, ku kjo rritje përllogaritet 5% që nga viti 2001. Në vitin 2022, sipas të dhënave, parlamenti përbëhet nga 64.3% burra dhe nga 35.7% gra.

Sipas analizës, sa i përket pozicionit që gëzojnë gratë në parlament, rezulton se për pozicionin kryetar i grupeve parlamentare, në vitin 2022, ishin 3 burra dhe 1 grua, pra në peshë gratë përbëjnë vetëm 25% të totalit. Ndërkohë, nënkryetarët e parlamentit dhe  kryetarët e komisioneve parlamentare kishin një shpërndarje të barabartë të burrave dhe grave në masën 50%, ku ekzaktëzisht ishin 5 burra dhe 5 gra. Pozicion tjetër i “pushtuar” nga burrat ishte ai i deputetit ku ishin respektivisht 82 burra dhe 43 gra ose 65.6% burra  dhe 34.4% gra respektivisht.

Gjithashtu INSTAT disponon të dhëna edhe për përbërjen e komisioneve parlamentare sipas gjinisë, ku dukshëm vihet re një “dominim” i gjinisë mashkullore, por përjashtim bën komisioni për punën, çështjet sociale dhe shëndetësinë, ku janë përkatësisht 8 burra dhe 13 gra, si dhe komisioni për edukimin, ku ky komision parlamentar përbëhet nga 8 burra dhe 11 gra. E përkthyer në vlerë nominale, vendimmarrja e grave është në masën 61.9% dhe 57.9%respektivisht.

Konkretisht, në shifra ekzakte përfaqësimi i burrave dhe grave në komisionet e tjera është si më poshtë: Komisioni i çështjeve ligjore, administratës publike dhe të drejtave të njeriut përbëhet nga 17 burra 8 gra; Komisioni për integrim europian përbëhet nga 11 burra 6 gra; Komisioni për politikën e jashtme përbëhet nga 14 burra 5 gra; Komisioni për ekonominë dhe financat përbëhet nga 11 burra 9 gra; Komisioni për sigurinë kombëtare përbëhet nga 17 burra  3 gra dhe Komisioni për veprimtarinë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin përbëhet nga 18 burra 2 gra.

Analiza ka vijuar me strukturat e policisë ku numri i punonjëseve gra vijon të mbetet shumë i ulët ashtu si në vitin 2021. Vetëm 14.8% e punonjësve janë gra në strukturat e policisë, ku 41.1% e tyre kanë gradën ‘Inspektor’ dhe 38.2% kanë gradën Civil’. Pra, konkludojmë se numri i punonjëseve gra vjen duke u rritur me uljen e nivelit të gradave, ndërkohë që në  vitin 2022, vetëm 1 grua ishte në nivelin e ‘Drejtuesit të Parë’. Përsa i përket aksesit të burrave dhe grave në forcat e armatosura, vetëm 15% e tyre janë gra, ku 40.9% të totalit e përbëjnë gratë oficere.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Të burgosurit, Shqipëria rekord pas rekordi/ Më shumë se gjysma e tyre nuk e vuajnë dënimin përfundimtar

Postimi mëparshëm

Rekord importesh për aparatet optike e fotografike/ Tendencat e reja të punës në rrjetet sociale rrisin kërkesën për produkte të tilla

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.