Sociale

30% e shqiptarëve nuk përballojnë internetin/ Kemi normën më të lartë në Europë të personave që nuk u`a mban xhepi ta lidhin në shtëpi

0

Sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statistikave” mbi kushtet sociale, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të personave të cilët janë shprehur se nuk mund ta përballojnë lidhjen e internetit për përdorim personal në shtëpinë e tyre. Sipas shifrave, referuar vitit 2020, janë rreth 29.5% e të anketuarve të cilët kanë thënë se nuk kanë mundësi të sigurojnë lidhjen me internet, duke e renditur Shqipërinë të parën në Europë dhe në rajon.

Referuar shifrave, norma e Shqipërisë është shumë herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila regjistrohet në 3.2% për vitin 2020. Shqipërinë e ndjek në renditje Rumania me 19.8% të personave të cilët janë shprehur se e kanë të pamundur të përballojnë lidhjen me internet në shtëpinë e tyre. Megjithëse Rumania është vendi i dytë në Europë me përqindjen më të lartë, dukshëm mund të kuptojmë se është gati 10 pikë përqindje larg normës së Shqipërisë.

Në renditje ndjekin Mali i Zi me 15.9%, pasuar nga Bullgaria me 10.2% si dhe dy vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Serbia me 8.5% dhe 8.4%. Ndërkohë, nga ana tjetër, vendet me normën më të ulët të personave të cilët janë shprehur se e kanë të pamundur të përballojnë lidhjen me internet në shtëpinë e tyre janë Norvegjia me 0.2%, Holanda me 0.4% dhe Zvicra me 0.5%.

Shqipëria renditet e para dhe nëse flasim për më të pasurit, ata të cilët klasifikohen në kuintilen e 5-të, pra 20%-shi më i pasur i popullsisë. Sipas Eurostat, 12.6% e më të pasurve në vendin tonë nuk e përballojnë lidhjen me internet në shtëpinë e tyre. Po ta analizojmë sipas statusit të punësimit, të dhënat tregojnë se janë rreth 38% e personave të papunë të cilët janë shprehur se nuk mund ta përballojnë lidhjen e internetit për përdorim personal në shtëpinë e tyre, duke e renditur Shqipërinë sërish të parën në Europë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Emigrantët, “lumë” parash në Atdhe/ Remitancat thyejnë rekord historik, 833 milionë euro për familjet në 2022-shin

Postimi mëparshëm

BSH “vulos” vitin rekord të turizmit/ 2.8 miliardë euro shpenzuan turistët në Shqipëri gjatë 2022-shit, si kurrë më parë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.