Ekonomi

Emigrantët, “lumë” parash në Atdhe/ Remitancat thyejnë rekord historik, 833 milionë euro për familjet në 2022-shin

0

Dërgesat e emigrantëve kanë prekur një rekord absolut historik gjatë vitit të kaluar, prej 833 milionë eurosh, tregojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Shifra është edhe më e lartë se viti 2008, kur regjistrohej rekordi i mëparshëm. Por, duhet pasur parasysh fakti se, para krizës financiare globale të viteve 2008-2009 niveli i remitancave ishte ndjeshëm më i lartë se periudha pasuese. Rritja e ndjeshme e remitancave në vendin tonë ka nisur që me pandeminë, por është theksuar edhe më shumë me krizën e çmimeve të vitit të kaluar. Në total, emigrantët kanë dërguar të paktën 73 milionë euro më shumë se viti pararendës, ai 2021. Bëhet fjalë për 9.6% më shumë dërgesa nga emigrantët gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021.

Nëse krahasimin e bëjmë me periudhën para dy krizave, pandemisë dhe çmimeve, shohim se emigrantët kanë sjellur në vend të paktën 132 milionë euro më shumë në vit.

Gjithashtu, shifrat tregojnë se tremujori i fundit i vitit të kaluar ka thyer po ashtu një rekord historik, me rreth 241 milionë euro dërgesa. Kjo shifër është edhe më e lartë se tremujori i dytë i vitit 2009, kur emigrantët dërgonin në Atdhe 240 milionë euro. Pikërisht kjo periudhë ka mbajtur deri në fund të vitit të kaluar rekordin historik sa i përket remitancave në vendin tonë. Në tremujorin e 4-tët ët vitit të kaluar, remitancat rezultojnë plot 8.9% më të larta se tremujori i njëjtë i vitit pararendës.

Nga këto shifra duket qartë se emigrantët kanë ndikuar mjaftueshëm për të zbutur krizën e çmimeve për familjet shqiptare, madje duke dërguar edhe më shumë para se gjatë pandemisë, kur shumë ekonomi familjare u prekën rëndë nga shpenzimet për shëndetësinë si pasojë e covid-19. Për më tepër, ky “lumë” dërgesash të parave nga emigrantët gjatë vitit të kaluar ka ardhur pavarësisht faktit se kriza e çmimeve ka prekur thuajse çdo cep të globit, dhe sidomos vendet ku ka një përqëndrim të lartë të emigrantëve shqiptarë, si vendet e Bashkimit Europian, Britania e Madhe apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, norma e inflacionit në këto vende gjatë vitit të kaluar ka qenë ndjeshëm më e lartë se shifra që Instituti i Statistikave ka raportuar në vendin tonë. Instat raporton se gjatë vitit të kaluar, norma e inflacionit në vendin tonë fiksohet pranë “vetëm” 6.7%, ndërkohë që gjatë së njëjtës periudhë kohore në Bashkimin Europian çmimet janë rritur me plot 9.2%. Por, kjo duket se nuk i ka ndaluar emigrantët shqiptarë të sjellin ndihma monetare për familjet e tyre në vështirësi në Shqipëri, përkundrazi. Tashmë kemi të bëjmë me një rekord të ri historik.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi vijon “boom”-in edhe në Shkurt/ 51.5% më shumë hyrje, tejkalohet edhe viti 2020. Në rritje edhe daljet, me 40%

Postimi mëparshëm

30% e shqiptarëve nuk përballojnë internetin/ Kemi normën më të lartë në Europë të personave që nuk u`a mban xhepi ta lidhin në shtëpi

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.