Arsim

Universiteti, më pak se gjysma diplomohen/ Gratë mbizotërojnë arsimin e lartë, por meshkujt drejtojnë

0

“Scan Intel” referuar të dhënave të “Institutit të Statistikave” në publikimin “Burra dhe Gra” për vitin 2022, ka kryer një analizë të thelluar mbi pjesëmarrjen e vajzave dhe djemve në arsim duke filluar nga cikli i ulët deri në ciklin e lartë. Ndër të tjera, “Scan Intel” ka analizuar barazinë gjinore në arsim, regjistrimet, diplomimet si edhe nivelin arsimor të popullsisë. Sa i përket këtij të fundit të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2021 rreth 43.2% e meshkujve në Shqipëri kanë arsim fillor dhe 8/9 vjeçar, ndërkohë që për femrat ky tregues regjistrohet në 52,9%. Pra, sipas këtyre të dhënave përqindja më e lartë e popullsisë ka arsim fillor. Por sa janë përqindjet për nivelet e tjera të arsimit dhe si ndryshojnë sipas gjinive? Shifrat tregojnë se 39.9% e meshkujve kanë arsim të mesëm, ndërkohë që 16.9% e tyre kanë arsim të lartë. Të dhënat sinjalizojnë se përqindja e femrave me arsim të lartë është më e madhe se ajo e meshkujve, me 19.5%.

Nëse do të analizonim numrin e nxënësve dhe studentëve të regjistruar për vitin akademik 2021-22, të dhënat tregojnë se janë më pak se përgjatë vitit 2020-21. Nëse po të njejtat shifra do t’i analzionim sipas programit dhe gjinisë, shifrat sinjalizojnë se numri i djemve të regjistruar në shkollë apo në universitet është më i lartë se ai i femrave. Në arsimin fillor janë regjistruar rreth 80 mijë djem dhe rreth 73 mijë vajza. E njejta tendencë vërehet edhe në sistemin e mesëm me 55 mijë djem dhe 47 mijë vajza. Por, nëse do të shihnim të dhënat rreth arsimit të lartë shohim se numri i femrave të regjistruara është më i lartë. Gjatë vitit akademik 2021-22 janë regjistruar në arsimin e lartë 73 mijë femrave kundrejt 50 mijë meshkujve.

Shifrat e përmendura më sipër mund t’i konfirmojë edhe indeksi i barazisë gjinore në arsim, i cili përkufizohet si raporti i vlerave femërore ndaj meshkujve. Treguesi mes 0.97 dhe 1.03 paraqet barazinë midis gjinive. Kur treguesi është nën 0.97 tregon një pabarazi në favor të meshkujve, ndërsa kur treguesi është mbi 1.03 tregon një pabarazi në favor të femrave. Pra, indeksi i pabarazisë gjinore në arsimin e lartë vlerësohet në 1.48, ose ndryshe në favor të femrave. Sa i përket arsimit të mesëm dhe atij 9-vjeçar të dhënat e indeksit të pabarazisë gjinore janë në favor të meshkujve.

Ndër të tjera “Scan Intel” ka analizuar edhe studentët e diplomuar në arsimin e lartë sipas gjinisë. Nga një panoramë e përgjithshme vihet re se përqindja më e lartë e të diplomuarve janë femra. Për vitin akademik 2020-21, 66.1% e të diplomuarve rezultojnë femra dhe 33.9% meshkuj. Ajo që vihet re nga diplomimet e meshkujve është se përqindja e tyre ka ardhur duke rënë nga viti në vit. Kjo për shkak se shumë prej tyre detyrohen ta ndërpresin fakultetin në mes për të emigruar, mbështetur edhë nga të dhënat më të fundit të migracionit.

Do të vijojmë të analizojmë të dhënat e arsimit të lartë këtë herë sipas programeve. Nga 73 mijë femra të regjistruara në arsimin e lartë për vitin akademik 2021-22, rreth 41 mijë prej tyre janë regjistruar në programin “Bachelor”, ndërkohë që në këtë program janë regjistruar gjithsej 31 mijë meshkuj. Të vetmet programe të arsimit të lartë ku meshkujt prevalojnë mbi femrat janë programet 2 vjeçare. Përgjatë vitit 2021-22 janë regjistruar në këtë program 4,223 meshkuj dhe 2,561 femra.

“Scan Intel” i ka analizuar më tej këto shifra duke parë raportin e të regjistruarve me atë të të diplomuarve sipas programeve të arsimit të lartë. Shifrat tregojnë se numri i të diplomuarve është ndjeshëm më i ulët se numri i të regjistruarve. Kështu, në nivelin tre vjeçar, bachelor, janë regjistruar gjatë vitit akademik 2018-19 rreth 52 mijë femra dhe janë diplomuar në vitin 2020-21 vetëm 11 mijë prej tyre. E njejta tendencë vihet re edhe në numrin e meshkujve të diplomuar në raport me ata të regjistruar. Po për të njetin program studimi janë regjistruar 36 mijë meshkuj dhe janë diplomuar vetëm 5,990 prej tyre.

Po të njejtin ndryshim vërejmë edhe në programet master. Nga 26 mijë femra të regjistruara janë diplomuar vetëm 9,074 prej tyre, ndërkohë që po të flasim për meshkujt, nga 14 mijë të regjistruar në programet master janë diplomuar vetëm 4,251 prej tyre.

Nesë do të flisnim për doktorantët përgjatë vitit akademik 2020-21 tendenca vijon e njetë. Duke marrë parasysh që doktoratura zgjat deri në tre vite në Shqipëri, në analzizë janë marrë regjistrimet për vitin 2018-19. Pra, nga 1,131 femra të regjsitruara në programet e doktoraturës në këtë periudhë janë diplomuar vetëm 261 në vitin 2020-21. Sa i përket meshkujve, nga 734 janë diplomuar 132 prej tyre.

Por si është përbërja e stafit universitar sipas gjinisë? Kur vjen fjala për poste drejtimi duket se më shumë i besohet meshkujve. Përgjatë vitit 2021 dekanët dhe rektorët e universiteteve kanë qenë kryesisht meshkuj. Më saktësisht, janë 38 dekanë burra dhe 18 dekane gra. Nga ana tjetër janë regjistruar 9 rektorë burra dhe 2 rektore gra. Sipas të dhënave duket se gratë kanë kryesisht poste zëvendësuese. Zëvëndes dekanët dhe rektorët janë më shumë të gjinisë femër.

Nga ana tjetër, po të flasim për stafin akademik efektiv në arsimin e lartë publik bie në sy se femrat janë më shumë në numër se sa meshkujt, si për stafin me kohë të plotë ashtu edhe për stafin më kohë të pjesshme. Gjatë vitit akademik 2021-22 janë regjistruar 980 lektore femra, përkundrejt 482 lektorëve meshkuj. Edhe asistent lektorët paraqiten me po të njejtën tendencë, pra më shumë femra sesa meshkuj. Sa i përket stafit me titullin profesor dhe profesor i asocuar, janë më të shumtë meshkujt në numër sesa femrat.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në Shqipëri çdo ditë “ndërtohen” 6300 metra katrorë/ Analiza e lejeve të ndërtimit prej 1995-ës dhe vitet e “boom”-it

Postimi mëparshëm

Profili i një të riu mesatar shqiptar/ Mashkull, në arsim të lartë, në punë, i pamartuar, flet një gjuhë të huaj, nuk lexon dhe nuk ndjek aktivitete kulturore dhe sportive

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.