Arsim

Trendi i diplomimeve në Shqipëri/ Djemtë drejtohen drejt inxhinierisë, vajzat “shkëlqejnë” në arsim dhe gazetari

0

Në vitin shkollor 2022-2023, arsimi në Shqipëri shënoi një numër më të ulët diplomimesh krahasimisht me vitin akademik të mëparshëm. Gjatë vitit 2022-2023 u diplomuan në arsimin zyrtar 83,548 nxënës dhe studentë gjithsej, me një ndarje të qartë mes arsimit 9-vjeçar, arsimit të mesëm dhe arsimit të lartë. Numri i diplomimev gjithes në Shqipëri ra me 7.5%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor/akademik. Të dhënat tregojnë se 34.1% e tyre u diplomuan në arsimin 9-vjeçar, 32.4% në arsimin e mesëm dhe 33.5% në arsimin e lartë.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar sesi paraqitet  trendi i diplomimeve për vitin akademik 2022-2023 sipas nivelit të arsimit. Në arsimin 9-vjeçar përfunduan me sukses programin e studimit 28,488 nxënës me një përfaqësim të ngushtë mes gjinive: 52.6% ishin djem dhe 47.4% vajza. Ndërsa në arsimin e mesëm të përgjithshëm shifrat tregojnë se shumica e nxënësve të diplomuar ishin vajzat që përbënin 52.8% të të diplomuarve gjithsej. Ndërsa në arsimin profesional u diplomuan  3,212 nxënës ku mbizotëronin djemtë me 82.3%. Të diplomuarit e arsimit profesional përbëjnë 11.9% të të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm

Por si paraqitet numri i të diplomuarve në arsimin e lartë sipas nivelit të studimit? Në arsimin e lartë në programet Bachelor u diplomuan  27,991 studentë  që përfaqësonin 49.3% të totalit. Ndërkohë, në nivelin master u diplomuan gjithsej 12,483 studentë nga të cilët 65.2% e të diplomuarve ishin vajza. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në këtë vit akademik, u diplomuan 18.241 studente femra, ose 65.2% e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë.

Përsa i përket fushës së studimit në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 25.4% ose një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve, si për femrat dhe për meshkujt. Lidhur me preferencat e përzgjedhjes së fushës së studimit  ishin të ndara sipas gjinisë në “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” për djemtë dhe “Shëndet dhe mirëqenie” për vajzat. Këto të dhëna reflektojnë një trend të diversitetit gjinor në përzgjedhjen e fushave të studimit dhe tregojnë një interes të lartë për edukimin dhe zhvillimin profesional në Shqipëri.

Nëse analizojmë të dhënat për  secilën fushë veçmas konkludojmë se  fushat në të cilat janë diplomuar më shumë femrat krahasimisht me meshkujt janë “Arsim” me  82.6%, ndjekur nga “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë”  me 80.5% dhe “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion”  me 79.7%. Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt krahasimisht me femrat janë “Shërbime” me 68.8%, “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim”  me 62.5%, dhe “Teknologji e informacionit dhe komunikimit”  me 58.5%.

Numri i diplomimeve gjithsej në arsimin e lartë këtë vit u ul me 9.4%. Por cilat degë po joshin më shumë studentë? Krahasimisht me një vit më parë vetëm tre degë regjistrojnë rritje të numrit të diplomimeve. Konkretisht, rritja më e lartë paraqitet në degën “Shëndet dhe Mirëqenie” me 8.3%  më pas ndjekin “Shërbimet” me 6.6% dhe “Teknologji e Informacionit  dhe Komunikimit” me 4.5% . Në të kundërt rënia është thelluar në degët si “Arte dhe shkenca humane” me 25 % dhe “ Shkenca arsimi” me 22.8% ku në arsim pati një rënie të konsiderueshme me 21% në  degën “ Shkenca natyrore, matematikë dhe Statistikë”. Në degët e tjera rënia  varion nga 0.4% në 15.6%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Më shumë turistë në strukturat akomoduese/ Përgjatë tre muajve të huajt qëndruan rreth 348 mijë netë në Shqipëri

Postimi mëparshëm

Çfarë mallrash bleu Kina nga Shqipëria? Në prill dërguam koncentrate të kromit dhe bakrit me vlerë 1.5 miliardë lekë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.