Arsim

Sistemi arsimor në “rënie të lirë”/ Rreth 28 mijë nxënës u ulën për herë të parë në bankat e shkollës

0

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, regjistrimet në sistemin arsimor kanë pësuar rënie të vazhdueshme vit pas viti. Këtë vit, rreth 28,000 nxënës janë ulur në bankat e shkollës për herë të parë, kjo përkthehet në një ulje prej 3.4% krahasuar me vitin e kaluar. Nga ana tjetër, në klasën e dhjetë u regjistruan 27,000 nxënës.

Sipas analizës së “Scan Intel”, bazuar në të dhënat e “Institutit të Statistikave”, viti 2022 regjistroi numrin më të ulët të nxënësve në arsimin 9-vjeçar për dy dekadat e fundit. Në vitin 2023, u regjistruan rreth 267 mijë nxënës në këtë cikël arsimor, ndërsa këtë vit numri i tyre ka rënë në 238 mijë, një ulje prej 0.8% krahasuar me vitin e kaluar. Nëse përpunojmë të dhënat e dekadës së fundit vëmë re se nga viti 2014-2024 janë regjistruar 125 mijë nxënës më pak ose e përkthyer në vlerë nominale kjo rënie regjistrohet në 34.5%. Kjo rënie lidhet me uljen e lindjeve dhe normën e lartë të emigracionit. Ky vit shkollor mirëpret 350,000 nxënës gjithsej ose 16% më pak se një vit më parë.

Gjithashtu, në sistemin arsimor gjatë vitit shkollor 2024-2025 janë të punësuar 31,000 mësues, nga të cilët 2,100 janë mësues ndihmës. Rikujtojmë se ky vit shkollor i gjen mësuesit me paga më të larta, pas rritjes që hyri në fuqi në 1 korrik të këtij viti. Sipas ndryshimeve, paga mesatare e mësuesve u rrit me 18 mijë lekë/muaj.

Ndërkohë, kjo rritje varet edhe nga eksperienca në mësimdhënie, ku konkretisht për mësuesit me 15 vite eksperiencë sipas nivelit arsimor ku ato ushtrojnë profesionin pagat paraqiten si më poshtë : paga e mësuesve të arsimit të mesëm të lartë arriti në 98,500 lekë, paga e mësuesve të arsimit të mesëm të ulët arriti në 96,600 lekë. Po ashtu, paga e mësuesve të arsimit të ulët 9-vjeçar arriti në 95,000 lekë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çfarë ndodhi me prodhimet blegtorale në 5 vite?/ Rënie e qumështit dhe mishit, mjalti me rritje

Postimi mëparshëm

Inflacioni “në vend numëro”?! Llogaritet në 2% në Gusht, ndikimi më i madh vjen nga ushqimet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.