Të dhënat e INSTAT mbi tregtinë e jashtme referuar muajit Tetor të këtij viti, konfirmojnë edhe njëherë rënie të importeve dhe eksporteve në vlerë. Përkatësisht këto tregues në vendin tonë ishin 37 mld lekë dhe 78 mld lekë, duke konstatuar një rënie me 4.3% dhe 6.3%.
Ndërkohë, referuar analizës së të dhënave në volum, pra në peshë, eksportet dhe importet kanë shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Eksportet në peshë janë rritur me 28.6%, ndërsa importet me 11.4%.
Por si paraqitet në shifra tregtia e jashtme për vendete tjera të rajonit? Sipas analizës së ‘Scan Intel’ shtetet si Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina kanë shënuar rritje të eksporteve në vlerë. Konkretisht, vlera e eksporteve në Kosovë për muajin Tetor ishte 3.5 mld lekë, pra 12.9% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë në Malin e Zi vlera e eksporteve është 1 mld lekë, pra 11.5% më shumë dhe në Bosnje Hercegovinë rritja e eksporteve konstatohet me 11.2%. Nga ana tjetër, shifrat për Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë reflektojnë një rënie të eksporteve në vlerë me 11.6% dhe 21.8%.
Ndërkohë, importet në vlerë kanë shënuar rënie për të gjitha vendet e rajonit me përjashtim të Maqedonisë së Veriut e cila ka patur një rritje me 15.6%. Rënia më e lartë është shënuar në Kosovë, Serbi dhe Malin e Zi. E përkthyer në përqindje kjo rënie për muajin Tetor ishte 32%, 24.7% dhe 16.3% respektivisht.
Krahas analizës së bërë për ndryshimet vjetore të importeve dhe eksporteve në Shqipëri në vlerë, e njëjta analizë është bërë për vendet e rajonit në peshë, ku konstatohet se importet kanë patur rritjen më të lartë në Serbi dhe Bosnje Hercegovinë. Në terma vjetorë, kjo rritje në volum paraqitet 82.8% dhe 57.1%. Këto shtete renditen në krye të listës edhe për rritjen e eksporteve përkatësisht me 78.6% dhe 53.5%. Ndërkohë, Mali i Zi eksportoi 90% më shumë mallra.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments