Emigracioni

Shqiptarët i thonë ‘jo’ azilit? Rreth 50% më pak aplikime në muajin Shtator

0

Të dhënat më të fundit të publikuara nga ‘Agjencia për Azil e Bashkimit Europian’ që i referohen muajit Shtator të këtij viti, konstatojnë një përgjysmim të aplikimeve të shtetasve shqiptarë për azil në vendet e Bashkimit Europian.

E përkthyer në shifra, aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e BE-së, gjatë muajit Shtator të vitit të kaluar, pra vitit 2022 ishin 1,415. Ndërkohë, gjatë vitit 2023 kemi një tkurrje të kërkesave pasi vetëm 703 shqiptarë kanë aplikuar për azil, ku 571 prej tyre ishin aplikues të rinj ose për herë të parë dhe pjesa tjetër rezultojnë aplikime të përsëritura.

Nga aplikimet e kryera, 96.2% janë refuzuar ose kanë marrë përgjigje negative dhe vetëm 3.8% e aplikimeve totale ose në vlerë ekzakte 27 prej tyre janë aprovuar.

‘Scan Intel’ ka analizuar këto të dhëna për të parë se ku pozicionohet Shqipëria krahasimisht me vendet e rajonit, përsa i përket aplikimeve për azil drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Në fakt, shifrat e vendosin  Shqipërinë në pozicion jofavorizues përsa i përket numrit të aplikimeve, pasi ajo renditet e para në listë me 703 aplikime gjithsej dhe më pas renditet Maqedonia e Veriut me 557 aplikime ku 42% e aplikimeve kanë qenë për herë të parë. Në vendin e tretë pozicionohet Serbia me 274 aplikime në total, 55% e të cilave janë aplikime të reja të regjistruara në muajin Shtator të këtij viti.

Ndërkohë, me numrin më të ulët të aplikimeve janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi me 137 aplikime dhe 43 aplikime gjithsej. Nga këto aplikime 44%-48% e tyre regjistrohen si aplikime të reja.

Në përfundim të analizës, konkludojmë se fluksi i aplikimeve për azil ka rënë ndjeshëm në të gjitha vendet e rajonit, tendecë kjo e kundërt me atë të një viti më parë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tregtia me Kosovën, më shumë dërguam sesa morëm/ Marrëdhëniet me rajonin, importet u rritën vetëm me Maqedoninë e Veriut

Postimi mëparshëm

Ku i dërgojmë objektet kulturore? Destinacionet kryesore, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kosova

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.