Tregti

Dy vite pas, si e ndikoi lufta Shqipërinë? Konflikti “preku” importet me Rusinë, bie ndjeshëm pesha e tyre

0

Kanë kaluar dy vite nga lufta në Ukrainë dhe Shqipëria si pjesë e Europës nuk ka qenë e imunizuar nga ndikimi që kanë patur këto ngarje. Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës është konsideruar jo vetëm si rrezik dhe cënim i rendit juridik europian, por efektet e saj janë shtrirë akoma dhe më gjerë duke prekur ekonomitë e vendeve.

Pesha e Ukrainës dhe Rusisë në furnizimin me ushqime të Europës, por jo vetëm, është shumë e lartë. Për këtë arsye, zgjatja e konfliktit ka sjellë vështirësi në tregjet europiane dhe patjetër ka ndikuar tek konsumatori dhe çmimet, gjë që është vënë re edhe në nivelin e inflacionit në vendin tonë. Por si ka ndikuar kjo luftë në Shqipëri? “Scan Intel” ka analizuar shifrat e tregtisë së jashtme për të kuptuar se si ka ndryshuar pesha e importeve për të dy vendet dhe si janë pozicionuar në hartën tonë të tregtisë që nga viti 2005 deri në vitin 2023.

Ajo që vihet re nga të dhënat e përpunuara është përgjysimi i peshës së Rusisë në importe në vitin 2023. Sipas shifrave të “Institutit të Statistikave” pesha e Rusisë në totalin e importeve në vitin 2021 ishte 1.9%, ndërkohë që në vitin 2022 kjo peshë ra në 1.1%. Përpara luftës, flitej për rreth 15 miliardë lekë importe në vitin 2021, ndërsa në vitin 2022 kjo shifër preku vlerën e rreth 11 miliardë lekë, pra 4 miliardë lekë më pak. Të dhënat tregojnë se në vitin 2023 pesha e Rusisë në tortën e importeve me Shqipërinë u vlerësua në 0.5%, ose rreth 4.4 miliardë lekë në vlerë. Ky është niveli më i ulët që nga viti 2005 për të cilin INSTAT disponon të dhënat e fundit. Viti 2008 regjistron nivelin më të lartë të importeve të Shqipërisë me Rusinë me një peshë të saj ndaj totalit në 4.4%.

Sa i përket Ukrainës ndërkohë, shohim se edhe këtu ka një luhatje të peshës ndaj importeve në Shqipëri, por më të lehtë. Shifra regjistrohet pranë 0.5% gjatë vitit 2023, nga 0.4% në vitin 2022. Ndërkohë, sipas të dhënave, në vitin 2020 pesha e Ukrainës në totalin e importeve ishte 0.7%, ndërsa në vitin 2021 në 0.5%. Në terma absolutë ndërkohë, pas luftës, pra në vitin 2022, Ukraina numëron 4.1 miliardë lekë importe në Shqipëri, ndërkohë në vitin 2023 janë rreth 4.3 miliardë, dukë shënuar një rritje të lehtë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni në Shqipëri, mbi mesataren e BE-së/ Çmimet janë shtrenjtuar me 3.8% në janar, sipas metodës europiane

Postimi mëparshëm

Çfarë i duhet rajonit për të shkuar në BE? BERZH: Boshllëqet janë kryesisht në fushat e qeverisjes, gjelbërimit dhe elasticitetit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.