Raporte

Tendenca e shqiptarëve për të jetuar dhe punuar jashtë vendit/ Synojnë BE-në dhe SHBA-në, Ballkani Perëndimor shumë pak i preferuar

0

Të dhënat e publikuara nga “Barometri i Ballkanit 2024” tregojnë se Shqipëria është një ndër vendet me dëshirën më të madhe për emigracion, ku një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Sipas analizës së realizuar nga “Scan Intel”, shifrat ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi preferencat e shqiptarëve për pesë vitet e ardhshme, duke e bërë Bashkimin Europian destinacionin më të preferuar.

Në vitin 2024, rreth 50% e shqiptarëve janë shprehur se preferojnë të shkojnë për të jetuar në një nga vendet e Bashkimit Europian, duke e renditur Shqipërinë si vendin me përqindjen më të lartë në rajon për këtë preferencë. Ndërkohë, 31% e shqiptarëve kanë shprehur dëshirën për të emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një shifër e konsiderueshme krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Nga ana tjetër, vetëm 11% e qytetarëve shqiptarë preferojnë të jetojnë dhe punojnë në Ballkanin Perëndimor, duke treguar një interes relativisht të ulët për këtë rajon si destinacion.

Në një vështrim rajonal më të gjerë, Kosova kryeson me 61% të qytetarëve që preferojnë të jetojnë ose punojnë në Bashkimin Europian, ndërsa Mali i Zi është i dyti me 44%.  Në të kundërt, Bosnje Hercegovina ka një përqindje të ulët të qytetarëve që preferojnë të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara me vetëm 18%, ndërsa Mali i Zi ka përqindjen më të lartë për këtë destinacion me 32%. Ndërsa, Serbia tregon një interes më të ulët për Bashkimin Europian, krahasuar me Shqipërinë dhe Kosovën. Nga ana tjetër, 36% e malazezëve  kanë shprehur dëshirën për të jetuar apo punuar në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor duke u renditur kështu në vendin e parë mes popujve të tjerë të marrë në studim.

Ndërsa një vit më parë, përgjigjet e shqiptarëve në “Barometrin e Ballkanit 2023” tregojnë se 49% e tyre shprehën gatishmërinë për të jetuar dhe punuar jashtë vendit. Kjo përqindje ishte më e lartë se mesatarja e rajonit, që ishte 44%. Ky rezultat nënkupton që për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, emigrimi shihet si një mundësi për një jetë më të mirë.

Sipas shifrave zyrtare vëmë re se Shqipëria demonstron një prirje të qartë drejt emigrimit në Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara duke lënë pas Ballkanin Perëndimor si një destinacion më pak i preferuar për emigrim.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pasuritë e palujtshme “spostojnë” industrinë nxjerrëse/ Në gjysmën e parë të vitit renditen të parat për investimet e huaja

Postimi mëparshëm

Kredia për ekonominë u shtua me 13 miliardë lekë në një muaj/ Kjo u mbështet kryesisht nga rritja e kredisë në valutë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.