Raporte

Shqipëria dhe Kosova të gatshme për të investuar në inovacion/ 40% e bizneseve në rajon e kanë të pamundur alokimin e fondeve në kërkim&zhvillim

0

Në një botë ku inovacioni është motori kryesor për zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën globale, investimet në kërkim dhe zhvillim janë thelbësore për rritjen afatgjatë të bizneseve. “Barometri i Ballkanit 2024” ofron një pasqyrë  të  qartë  mbi qasjen e bizneseve në Ballkanin Perëndimor për sa i përket gatishmërisë së tyre për të investuar në këtë fushë në tre vitet e ardhshme.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria është një nga vendet më optimiste në lidhje me investimet në kërkim dhe zhvillim. Rreth 32% e bizneseve të anketuara shprehen se është e “mundshme” që ato të investojnë fondet e tyre për të zhvilluar produkte apo shërbime të reja apo të përmirësuara në tre vitet e ardhshme. Kjo përqindje është më e larta në rajon.

Gjithashtu, rreth 31% e bizneseve në Shqipëri mendojnë se është “disi e mundshme” që të kryejnë investime në këtë fushë. Megjithatë, nuk mund të injorojmë faktin që 31% e ndërmarrjeve shqiptare e shohin si “të pamundur” që të investojnë fondet e tyre në kërkim-zhvillim.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të  kuptuar sesi është  qasja e vendeve të tjera të  rajonit për të investuar në kërkim dhe zhvillim. Në rajon, Kosova paraqitet si një lider në qasjen pozitive ndaj investimeve në këtë aspekt. Rreth 24% e bizneseve kosovare e shohin të mundur këtë lloj investimi, ndërkohë që një masë e lartë prej 59% mendojnë se është disi e mundur.  Në Bosnje Hercegovinë, ndërmarrjet janë më të kujdesshme në lidhje me investimet në këtë drejtim. Vetëm 23% e tyre e konsiderojnë të mundur këtë investim,dhe 31% e bizneseve mbeten skeptike, duke treguar një nivel të lartë pasigurie për investimin e fondeve të  tyre në kërkim dhe zhvillim

Nga ana tjetër, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë ndër vendet më skeptike në lidhje me investimet në kërkim dhe zhvillim. Vetëm 7% e bizneseve serbe e shohin të mundur një investim të tillë, ndërsa 68% e tyre e konsiderojnë të pamundur. Në mënyrë të ngjashme, Maqedonia e Veriut tregon një pasiguri të madhe, ku vetëm 10% e bizneseve e konsiderojnë investimin në kë të fushë si të mundur, ndërsa 61% e shohin të pamundur. Kjo nënkupton një mungesë burimesh ose mundësish për t’u përfshirë në inovacion, duke e lënë vendin në një pozitë të vështirë për të konkurruar në tregjet globale.

Pra, mund të themi se Shqipëria dhe Kosova shfaqen si dy prej vendeve më optimiste, ku bizneset po mendojnë të shqyrtojnë  alternativën e investimit  në kërkim-zhvillim në tre vitet e ardhshme. Ndërkohë, Serbia dhe  Maqedonia e Veriut mbeten më skeptike.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

INSTAT rivlerëson rritjen ekonomike/ Ndryshon metodologjia për matjen e PBB-së. Rritja për vitin 2023 vlerësohet në 3.94%

Postimi mëparshëm

Rënie e besimit në tregti, treguesit e tjerë përmirësohen/ Vrojtimi i BSH: Industria, ndërtimi dhe shërbimet tregojnë rritje të qëndrueshme

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.