Financë

Kredia për ekonominë u shtua me 13 miliardë lekë në një muaj/ Kjo u mbështet kryesisht nga rritja e kredisë në valutë

0

Në vitet e fundit, ekonomia shqiptare ka përjetuar një rritje të ndjeshme të totalit të kredisë, duke reflektuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe një besim të shtuar në sektorin financiar. Sipas të dhënave të fundit nga “Banka e Shqipërisë”, totali i kredisë ka arritur në 812.3 miliardë lekë në Gusht të vitit 2024, me një rritje e konsiderueshme prej 12% krahasuar me Gushtin e vitit 2023 dhe me 1.8% krahasuar me Korrikun e vitit aktual. Pra, nëse flasim në shifra absolute, rezulton se në harkun kohor të një muaji kredia është shtuar me rreth 13 miliardë lekë, ndërsa në harkun kohor të një viti regjistron një rritje prej 87 miliardë lekë.

Kjo rritje i atribuohet kryesisht zgjerimit të kreditimit të “Korporatave të tjera financiare”. Nga ana tjetër, edhe kredia për biznesin ka shënuar një rritje të konsiderueshme. Nga 447.4 miliardë lekë në korrik, ajo është shtuar me rreth 13 miliardë lekë në Gusht, duke arritur në rreth 460.5 miliardë lekë. Krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të shkuar, kredia për biznesin është rritur me rreth 12.6%.

Kjo rritje është mbështetur kryesisht nga një rritje e kredisë në valutë, të cilat kanë arritur në 248 miliardë lekë, nga 222,8 miliardë lekë, ndërsa kreditë në lekë kanë mbetur relativisht të qëndrueshme. Në një muaj kreditë në valutë u rritën me 5.9%, ndërsa kreditë në lekë regjistruan një rënie të lehtë prej 0.4%.

Kredia për korporatat jofinanciare publike ka pësuar një ulje të lehtë po ashtu, duke arritur në rreth 18 miliardë lekë në Gusht 2024 nga rreth 19 miliardë që ishte në Gusht 2023. Kjo ulje është reflektuar si në kreditë në lekë, ashtu edhe në kreditë në valutë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tendenca e shqiptarëve për të jetuar dhe punuar jashtë vendit/ Synojnë BE-në dhe SHBA-në, Ballkani Perëndimor shumë pak i preferuar

Postimi mëparshëm

Kursimet u rritën për të katërtin muaj rradhazi/ Depozitat në lekë u rikthehen rënies, ndërsa ato në euro u shtuan me 2.8%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.