EkonomiStudime

Sa i kushtojnë ushqimet familjeve shqiptare? Rritja e çmimeve ka “fshirë” 7.7% të buxhetit familjar, të varfërit janë goditur 4 herë më shumë se të pasurit

0

Një familje shqiptare shpenzon në muaj, mesatarisht 28.293 lekë vetëm për ushqime, tregon një vrojtim i publikuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë mbi pasurinë e familjeve. Ndërkohë, të ardhurat mesatare totale të një familje shqiptare, në muaj, fiksohen në 80,166 lekë, çka do të thotë se 35.3% e shpenzimeve, mesatarisht shkojnë vetëm për ushqim. Por, kjo normë ka luhatje mjaft të madhe në varësi të nivelit të të ardhurave të familjes. Kështu, familjet me të ardhurat më të ulta, prej vetëm 19,650 lekësh në muaj, shpenzojnë për ushqim 16,390 lekë në muaj, ose 83.4% të të ardhurave të tyre në dispozicion. Familjet me të ardhura prej 39,685 lekësh në muaj shpenzojnë rreth 22 mijë lekë për ushqime, ose 56.5% të totalit, ato me të ardhura neto mesatare në 89 mijë lekë në muaj shpenzojnë për ushqim 33 mijë lekë, ose 37.4% të totalit, dhe ato me të ardhura në 188 mijë lekë në muaj, shpenzojnë për ushqim rreth 37 mijë lekë në muaj, ose vetëm 20% të totalit të të ardhurave të tyre neto mujore.

Por, ky vrojtim i referohet vitit 2019 dhe në disa raste, vitit 2018, siç është edhe rasti i shpenzimeve. “Scan Intelligence Unit” i ka analizuar shifrat për të kuptuar se si ka ndikuar rritja e çmimeve të ushqimeve në buxhetin e familjeve shqiptare. Ecuria e indeksit të çmimeve të konsumit tregon se, që prej muajit mars të vitit 2018, e deri në marsin e këtij viti, ushqimet në vendin tonë janë shtrenjtuar me 21.67%. Kjo do të thotë se, mesatarisht, familjeve shqiptare i është shtuar një kosto mujore vetëm për ushqim prej rreth 6,100 lekësh në muaj, ose rreth 50 euro, kryesisht si pasojë e krizës. Por, edhe në këtë rast, kosto e çmimeve të shtrenjtuara nuk rezulton e njëjtë për të gjitha familjet sipas nivelit të të ardhurave. Kështu, për familjet me të ardhura më të ulta, kosto shtesë mujore e shtrenjtimit të çmimeve fiksohet në rreth 3,551 lekë në muaj, ose sa 18% e të ardhurave të tyre totale neto në muaj. Për familjet e nivelit të dytë, me të ardhura mujore mesatare prej rreth 39 mijë lekësh në muaj, kosto e rritjes së çmimeve fiksohet në 4,865 lekë në muaj, ose 12.25% e totalit; për ato me të ardhura në 60 mijë lekë në muaj, 6,671 lekë shtesë në muaj vetëm për ushqim, ose 11.04% e të ardhurave të tyre mujore neto. Sa i përket familjeve me të ardhura mujore në 89 mijë lekë në muaj, kosto shtesë për ushqime fiksohet në 7,242 lekë, ose 4.35% e të ardhurave të tyre totale neto. Ndërkohë, për familjet me nivelin më të lartë të të ardhurave, kosto mujore shtesë fiksohet në 8,200 lekë në muaj, ose 4.35% e të ardhurave mesatare neto në muaj. Nga kjo analizë, rezulton kështu se familjet me nivelin më të ulët të të ardhurave janë goditur 4.2 herë më shumë se ato të nivelit më të lartë nga rritja e çmimeve të ushqimeve.

Ky shtrenjtim i çmimeve të ushqimeve ka sjellë rrjedhimisht edhe një ndryshim të strukturës së shpenzimeve të familjeve shqiptare, çka do të thotë se familjet me të ardhurat më të ulta, prej vetëm 19 mije lekësh në muaj nuk mund të përballojnë më as ushqimin me çmimet e sotme. Për këto familje, kosto vetëm për ushqim është më e lartë se të ardhurat e tyre totale mujore neto, 1.5 pikë përqindje më e lartë.

Përllogaritja e ndryshimit të çmimeve është bërë mbi një periudhë bazë, marsi i vitit 2018, duke qenë se të dhënat e Bankës së Shqipërisë në vrojtim për shpenzimet i referohen vitit 2018 dhe sepse ushqimet, sidomos frutat dhe zarzavatet janë produkte sezonale, çka e bën jo të drejtë krahasimin mes periudhave të ndryshme të vitit. Ndër të tjera, këto përllogaritje janë bërë mbi parimin e mesatares, dhe jo të medianës, paçka se kjo e fundit ka më shumë peshë kur ka diferenca të mëdha. Sipas parimit të medianës, këto rezultate do të ishin edhe më dramatike. Ndër të tjera, rritja e çmimeve është përllogaritur mbi supozimin se familjet nuk kanë ulur konsumin si pasojë e rritjes së çmimeve, duke qenë se bëhet fjalë vetëm për ushqime, pra produkte të domosdoshme. Gjithashtu, impakti i rritjes së çmimeve është bazuar mbi nivelin e të ardhurave neto të viteve 2018-2019, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, duke qenë se nuk ka të dhëna më të përditësuara dhe se vitet në vitet pasuese ekonomia shqiptare dhe ajo familjare nuk kanë “shkqëlqyer”, rrjedhojë e krizave të njëpasnjëshme.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rritja e çmimit të banesave, efekt i tregut/ BSH: Dyfishohet kërkesa në Tiranë, duke rritur çmimet me 9% në 2021-shin

Postimi mëparshëm

Shqipëria, më e varfra në rajon/ Banka Botërore: 1 në 5 shqiptarë jeton me më pak se 5,5 dollarë në ditë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.