Studime

Ministritë, më shembulloret dhe më pak shembulloret/ “Financa” dhe “Turizmi” kanë mungesë transparence, “Kultura” gati 1 vit pa lajm

0

Parimi i transparencës është një ndër parimet bazë sa i përket veprimtarisë së administratës publike dhe institucioneve të saj. Të qenit i hapur dhe transparent për publikun është një detyrim ligjor i të gjithë autoriteteve publike dhe e drejtë e qytetarëve. Elementi më i rëndësishëm i transparencës lidhet kryesisht me të drejtën për informim e cila rregullohet nga neni 23 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si dhe nga Ligji Nr.119/2014 për të drejtën e informimit, i cili synon nxitjen e integritetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë së autoriteteve publike. Sipas këtij ligji çdo autoritet publik duhet të ketë minimalisht në faqen e tij zyrtare programin e transparencës i cili duhet të përmbajë dhe kategoritë e informacionit të cilat është e detyrueshme të bëhen publike pa kërkesë.

“Scan Intel”, nisur nga vështirësitë që has në aksesimin e disa informacioneve, ka kryer një analizë të faqeve zyrtare të ministrive të Republikës së Shqipërisë. Sa e rifreskojnë informacionin këto faqe dhe sa e respektojnë programin e transparencës në pika të cilat janë thelbësore, si përshembull të dhënat mbi arsimin dhe kualifikimet e funksionarëve, të dhëna mbi pagat e tyre apo edhe buxheti? Në nenin 7 të Ligjit Nr.119/2014 për të drejtën e informimit theksohet se duhet të vihen në dispozicion të publikut në faqen e institucioneve në internet të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë, si dhe një përshkrim të procedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe procedurën që ata ndjekin për të marrë vendime. Sipas të dhënave të analizuara nga “Scan Intel” pikat të cilat nuk respektohen nga institucionet, në këtë rast ministritë, lidhen kryesisht me pagën e funksionarëve si dhe me arsimin apo kualfikimet e tyre. Nga ana tjetër, ka ministri të cilat nuk i rifreskojnë lajmet apo njoftimet në web faqet e tyre, duke privuar publikun të informohen mbi deklaratat apo njoftimet e fundit rreth atij institucioni në kohë reale, por mbi të gjitha mos të harrojmë konfuzitetin që shkaktojnë. Ajo që bie në sy nga monitorimi i faqeve të ministrive është se ato nuk janë uniforme, pra nuk janë të struktuara të gjitha njësoj, çka sjell vështirësi nga qytetarët për të gjetur çfarë ato kërkojnë.

Nisur nga të dhënat e monitorimit të këtyre faqeve, lajmet, fjalimet apo deklaratat më aktuale rezultojnë në “Ministrinë e Turizmit” dhe në “Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë” në datë 6 tetor të këtij viti. “Ministria e Mbrojtjes”, “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, si dhe “Ministria e Shëndetësisë” po ashtu mund të themi se janë update-uar së fundmi ku për “Ministrinë e Mbrojtjes” lajmi i fundit i publikuar në faqen zyrtare rezulton më 5 tetor, po ashtu edhe për atë të bujqësisë dhe shëndetësisë. Po cila është ministria më pak aktuale? Të dhënat tregojnë se “Ministria e Kulturës”, “Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme” si dhe “Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët” kanë lajmet dhe njoftimet më të vjetra në faqet e tyre zyrtare. Lajmi i fundit në faqen e “Ministrisë së Kulturës” rezulton që me datë 3 nëntor të vitit të kaluar, pra vitit 2021. Nga ana tjetër, lajmi i fundit në “Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme” daton më datë 24 prill të vitit 2022, ndërkohë që për “Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët” fjalimi i fundit rezulton më 23 maj të këtij viti dhe lajmi i fundit daton me 30 shtator të këtij viti. Megjithatë vlen të theksohet se faqet zyrtare të institucioneve publike së fundmi janë përballuar vazhdimisht me pasojat e sulmeve kibernetike.

Për të patur një analizë sa më të plotë “Scan Intel” ka analizuar të dhënat e “Indeksit të Transparencës Proaktive të Institucioneve Qëndrore”, 2021 të publikuar nga “Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”. Instrumentet kryesore për matjen e transparencës proaktive nga komisioneri janë publikimi i programit model të transparencës për autoritetet publike, publikimi i regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve i përditësuar gjatë vitit 2021, të dhënat e koordinatorit për të drejtën e informimit, publikimi i informacionit mbi “Të dhënat e Koordinatorit për njoftimin dhe konsultimin publik”, publikimi i të dhënave për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar 2021. Vlerësimi i pesë treguesve të mësipërm bëhet me pikë, ku 0 pikë do të thotë se informacioni nuk është publikuar, 0.5 pikë do të thotë se informacioni është publikuar pjesërisht, ndërsa 1 pikë do të thotë se informacioni është publikuar. Në bazë të indikatorëve mblidhen pikët për vlerësimin përfundimtar i cili mat nivelin e transparencës. Autoritetet Publike që i kanë të gjithë treguesit negativ dhe për këtë arsye kanë grumbulluar 0 pikë, kanë një transparencë proaktive të pamjaftueshme, autoritetet publike që kanë grumbulluar 1 – 2 pikë kanë një transparencë proaktive të ulët, autoritetet publike që kanë grumbulluar 2.5 – 4 pikë kanë një transparencë të mesme, ndërsa autoritetet publike të cilat i kanë të gjithë treguesit pozitiv dhe kanë grumbulluar 4.5 – 5 pikë kanë një transparencë proaktive të lartë. Sipas shifrave të raporit del në pah se nivelin më të ulët të transparencës për vitin 2021 e kanë patur “Ministria e Brendshme”, “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit” dhe “Ministria e Financave dhe Ekonomisë”, të vlerësuara me nga 2 pikë secila. Këto tre ministri kanë transparencë të ulët sipas skemës së vlerësimit. “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale” është ministria më transparente e cila mban dhe vlerësimin më të lartë me 5 pikë. Kjo ministri ndiqet nga “Kryeministria”, “Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë” dhe “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë” të vlerësuara me nga 4,5 pikë secila. Ndër pesë pikat e shtruara më sipër duket se ajo që nuk respektohet më shumë është buxheti. Pjesa më e madhe e ministrive janë vlerësuar me 0 pikë për faktin se kanë treguar transparencë sa i përket buxhetit të vitit 2021.

“Scan Intel” ka zgjedhur të analizojë edhe dy pika të tjera nga programi i transparencës, që janë struktura dhe niveli i pagave të funksionarëve, si dhe bërja publike e të dhënave mbi arsimin dhe kualifikimet e funksionarëve, por edhe nëpunësve të ministrive. Nga monitorimi i këtyre ministrive ajo që vihet re në vija të përgjithshme është se pothuaj të gjitha ministritë kanë strukturë të pagave për punonjësit por nuk kanë të publikuara pagat e funksionarëve të përcaktuara sipas ligjit. Sa i përket informacionit mbi arsimin dhe kualifikimet e punonjësve të dhënat tregojnë se disa prej tyre ose nuk kanë informacion, ose e kanë të paaksesueshëm, ose nuk kanë informacion të detajuar. “Ministia e Mbrojtjes”, “Ministria e Turizmit”, “Ministria e Kulturës”, “Ministria e Brendshme”, “Ministira e Financave dhe Ekonomisë” janë ministritë të cilat nuk kanë në programin e transparencës të publikuar arsimin dhe kualifikimet e funksionarëve të tyre.

Ndër të tjera nga vrojtimi i kryer nga “Scan Intel” del se janë disa ministri pa portofol të cilat nuk kanë fare faqe zyrtare. “Ministri i Shtetit për Standartet e Shërbimeve” nuk ka faqe zyrtare, ndërkohë faqa e “Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin” nuk funkisonon. Sa i përket “Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët” dhe “Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes”, të dhënat tregojnë se kanë faqe zyrtare të aksesueshme nga qytetarët, të cilët mund të informohen për atë se çfarë bën dhe çfarë nuk bëjnë këto ministri.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni ngjitet në 8.1%/ Niveli më i lartë në 24 vite. Ushqimet dhe transporti udhëheqin shtrenjtimin, por mister me karburantet

Postimi mëparshëm

Sa na vlen puna sot? 1 orë punë për të blerë 10 kokrra vezë. 2 orë punë për vetëm 4 produkte të shportës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.