Emigracioni

Shkurti “rikthen” azilantët shqiptarë në Europë? Në rajon, vetëm Shqipëria dhe Kosova shënuan rritje të kërkesave

0

Sipas të dhënave të Eurostat, në muajin shkurt të vitit 2024 u regjistruan 744 aplikime gjithsej për azil në një nga vendet e BE-së nga shtetasit shqiptarë, ku 570 prej tyre ishin aplikime për herë të parë. Krahasuar me janarin e këtij viti, kur regjistroheshin 648 aplikime, shohim se kërkesat janë rritur me rreth 15% ose me 96 më shumë.

Edhe pse shifrat e shkurtit tregojnë rritje, sipas analizës së trendit të aplikimeve për azil nga shtetasit shqiptarë në muajt paraardhës vihet re një tendencë në rënie, krahasuar me vitin e kaluar. Duket se prej muajsh, numri i shqiptarëve azilantë në Bashkimin Europian vijon trajektoren rënëse, e cila mund të jetë edhe rrjedhojë e rrugëve të reja të kalimit, siç është rasti i Mbretërisë së Bashkuar.

Nëse analizën e shtrijmë në nivel rajonal, të dhënat tregojnë se shqiptarët janë orientuar drejt azilit më shumë se shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe ato të Serbisë, pasi vendi ynë renditet në krye të listës me numrin më të lartë të aplikimeve për azil në vendet e BE-së. Më pas ndjekin në renditje Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Sipas të dhënave edhe në Kosovë vihet re nje rritje e numrit të kërkesave për azil, krahasuar me muajin janar të vitit 2024. Ndërkohë, më pak janë kërkesat për azil nga shtetasit e Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi, të cilët në shkurt të vitit 2024 regjistruan vetëm 124 aplikime dhe 29 aplikime gjithsej. Kjo renditje ka mbetur e pandryshuar nga ajo e janarit të vitit 2023.

Pra, ndër vendet e rajonit ku vihet re rritje e numrit të kërkesave në shkurt, krahasuar me janarin, mund të përmendim vetëm Shqipërinë dhe Kosovën.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bizneset po shfaqin fitime të mëdha/ Pjesa më e madhe “mbështetet” tek kapitali i vet, 36% kanë një kredi për të paguar

Postimi mëparshëm

Urbanizimi, të gjithë “dynden” drejt Tiranës dhe Durrësit/ Sipas Bankës Botërore, rreth 64% e popullsisë përqëndrohet në zonat urbane

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.