Emigracioni

Azilantët po pakësohen! Bie numri i kërkesave me 20% gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, rreth 5 mijë shqiptarë aplikuan

0

Numri i kërkesave për azil përgjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka shënuar rënie më rreth 20%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë, tregojnë të dhënat nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” (EUAA). Kjo tendencë është vënë re nga muaji në muaj referuar shifrave zyrtare nga publikimet e mëparshme. Siç kemi theksuar edhe më herët kjo trajektore rënëse e numrit të kërkesave mund të jetë si pasojë e rrugëve të reja të kalimit në mënyrë ilegale , siç është rasti i Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, nga të dhënat zyrtare tre denstinacionet kryesore ku shqiptarët kanë paraqitur kërkesat për mbrojtje në gjashtë muajt e parë të vitit janë Franca, Gjermania dhe Italia.

Përgjatë periudhës Janar-Qershor kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit Europian 4,779 shqiptarë, nga 5,980 kërkesa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit të kaluar, pra vitit 2022. Këto aplikime referuar kësaj periudhe ndahen në 3,602 kërkesa për herë të parë dhe në 1,177 kërkesa përsëritëse.

Krahasuar me vendet e rajonit shohim se edhe pse me rënie, gjatë gjashtë muajve nuk e kemi lëshuar vendin e parë duke regjistruar shifrën më të lartë. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 3,603 aplikime dhe Serbia me 2,570 aplikime. Kosova për periudhën Janar-Qershor ka regjistruar 1,728 aplikime, ndërkohë që vendet me numrin më të ulët të aplikimeve janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi me 851 dhe 179 kërkesa. Të dhënat tregojnë se që nga fillimi i vitit, pra muaji janar, të gjitha vendet e rajonit kanë regjistruar një rënie të numrit të aplikimeve. Edhe për vendet e rajonit destinacionet kryesore ku janë paraqitur kërkesat më të larta janë Franca dhe Gjermania.

Ndër të tjera, referuar publikimit, Shqipëria ka një shkallë njohje shumë të ulët, me vetëm 8%. Pra, vetëm 8% e kërkesave nga shqiptarët gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit kanë marrë përgjigje pozitive. Megjithatë, referuar të dhënave, nga të gjitha vendet e rajonit Shqipëria ka normën më të lartë të pranimit.

Theksojmë se shkalla e njohjes llogaritet duke pjesëtuar numrin e vendimeve pozitive të shkallës së parë (dhënia e statusit të refugjatit) me numrin total të vendimeve të nxjerra.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Festat zyrtare, si renditet Shqipëria? Jemi ndër vendet e para në Europë dhe të tretët në rajon me 14-të ditë pushimi

Postimi mëparshëm

Energjia shtrenjton prodhimin me 6.9%/ Edhe çmimet e importit në rritje, por ngadalësojnë ritmin në tremujorin e dytë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.