Tregti

Ku i dërgojmë objektet kulturore? Destinacionet kryesore, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kosova

0

Trashëgimia kulturore lidhet ngushtë me historinë e një vendi dhe identitetin kombëtar prandaj dhe mbrojtja e saj është shumë e rëndësishme. Shqipëria është një vend i pasur sa i përket trashëgimisë dhe objekteve të kultit, megjithatë ndër vite nuk i ka shpëtuar dot incidenteve të natyrës ekonomike, pra kryesisht vjedhjeve.

Por a lejohet tregtimi i këtyre objekteve? Sipas ligjit nr.27/2018 për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, në nenin 116 flitet për tregtinë e pasurive kulturore. Në ligj thuhet se veprimtaria tregtare e pasurive kulturore ushtrohet nga subjektet tregtare të licencuara në përputhje me legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet, ku licencimi i këtyre subjekteve bëhet nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

Nisur nga kjo ‘Scan Intel’ ka analizuar historikun e të dhënave që nga viti 2004 deri në vitin 2022 për objektet kulturore të hyra apo dala nga territori shqiptar. Sa i përket vitit që lamë pas, pra vitit 2022, importet për veprat e artit dhe antikat u fiksuan në 33.9 milion lekë ose 329 mijë euro, pra 30% më shumë krahasimisht me vitin 2021. Vlera më e lartë e importit u arrit në vitin 2016-të, përkatësisht 69.6 milion lekë, ndërsa ajo më e ulët në vitin 2011-të.

Në një analizë paralele, në terma absolutë, eksportet për kategorinë ‘‘Vepra arti, copat e mbledhura dhe antikat’ në vitin 2022 ishin 3.7 milion lekë, ndërkohë që vlera më e lartë e tyre është arritur në vitin 2013-të, ku Shqipëria eksportoi 321 milion lekë. Por cilët janë partnerët kryesorë që kanë bashkëpunuar me Shqipërinë për të dhënë apo marrë vepra arti apo objekte kulturore të ndryshme?

Shqipëria ka importuar vepra arti dhe antika kryesisht nga Turqia, Greqia, dhe Franca, shtete këto që zënë dhe pjesën më të madhe të importit. Në vlerë nominale, 35% e importeve të veprave të artit dhe antikave janë nga Turqia, 18% e tyre me origjinë franceze dhe 10% me origjinë nga Greqia. Ndërkohë, 2%-3% të peshës totale të importeve për këtë kategori e zënë shtetet si Rusia, SHBA, dhe Gjermani.

Krahas importeve, analiza ka marrë në konsideratë edhe partnerët kryesorë me të cilët Shqipëria ka eksportuar ‘Vepra arti, copat e mbledhura dhe antikat’. Në krye të listës renditen Emiratet e Bashkuara Arabe me 54% të peshës, më pas ndjek Kosova me 31% dhe SHBA me 6%. Ndërkohë, bashkëpunimi ka qenë thuajse i papërfillshëm me Zvicrën, ku eksportet e veprave të artit zënë vetëm 1% të vlerës totale.

Së fundmi qeveria ka vendosur që objektet kulturore të vjedhura t’i pasqyrojë në një data base digjitale të përditësuar rregullisht. Në vendim përcaktohet mënyra se si do krijohet dhe përditësohet baza e të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura, të hyra ose nxjerra në mënyrë të paligjshme nga territori i Republikës së Shqipërisë. Grumbullimi dhe administrimi i të dhënave do bëhet në rrugë elektronike nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, ku përpunimi dhe përditësimi i tij, kryhet nëpërmjet një sistemi kompjuterik.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët i thonë ‘jo’ azilit? Rreth 50% më pak aplikime në muajin Shtator

Postimi mëparshëm

Udhëtimet për pushime rriten me 93%/ Në Tetor të këtij viti Shqipërinë e vizituan rreth 700 mijë të huaj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.