Emigracioni

Vijon tendenca rënëse e azilantëve/ Rreth 39% më pak kërkesa se një vit më parë, norma e pranimit në 7%

0

Shifrat nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” (EUAA) tregojnë se numri i kërkesave për azil nga shqiptarët gjatë muajit maj të këtij viti ra me 38.5%, krahasuar me të njejtin muaj të një viti më parë. Referuar shifrave, përgjatë majit paraqitën kërkesën për mbrojtje 690 persona, ndërkohë në majin e vitin 2022 regjistroheshin gjithsej 1,123 kërkesa. Këto aplikime ndahen në 531 kërkesa për herë të parë dhe në 159 kërkesa përsëritëse. Sipas të dhënave, karahasuar me muajin paraardhës, pra muajin prill, numri i aplikimeve për azil vërehet me rënie.

Nisur edhe nga shifrat e mëparshme duket se kurba e këtij treguesi po vjen në rënie jo vetëm në terma vjetorë, por edhe nga muaji në muaj. Siç kemi theksuar edhe në publikimet e mëparshme mbi numrin e azilantëve, kjo trajektore rënëse e numrit të kërkesave mund të jetë si pasojë e rrugëve të reja të kalimit, siç është rasti i Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, sipas “Agjencisë për Azil e Bashkimit Europian” denstinacionet kryesore ku shqiptarët kanë paraqitur kërkesat për mbrojtje janë Franca, Gjermania dhe Italia.

Nëse Shqipërinë do ta krahasonim me vendet e rajonit shohim se edhe pse me rënie, sërish për majin vijojmë të kryesojmë listën me shifrën më të lartë. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 436 aplikime dhe Serbia me 310 aplikime. Kosova për majin ka regjistruar 255 aplikime, ndërkohë që vendet me numrin më të ulët të aplikimeve janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi me 105 dhe 21 kërkesa. Të dhënat tregojnë se që nga fillimi i vitit, pra muaji janar, të gjitha vendet e rajonit kanë regjistruar një rënie të numrit të aplikimeve. Edhe për vendet e rajonit destinacionet kryesore ku janë paraqitur kërkesat më të larta janë Franca dhe Gjermania.

Ndër të tjera, referuar publikimit, Shqipëria ka një shkallë njohje shumë të ulët, me vetëm 7%. Pra, vetëm 7% e kërkesave nga shqiptarët kanë marrë përgjigje pozitive për muajin maj të këtij viti. Shkalla e njohjes llogaritet duke pjesëtuar numrin e vendimeve pozitive të shkallës së parë (dhënia e statusit të refugjatit) me numrin total të vendimeve të nxjerra.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Vetëm në Qershor, 1 mln të huaj në Shqipëri/ Kosova dhe Italia regjistrojnë numrin më të lartë të hyrjeve në vend

Postimi mëparshëm

Gara e turizmit, si pozicionohet Shqipëria? 2.7 të huaj për banor, këtë vit mund t`ia kalojë Greqisë dhe Malit të Zi

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.