Ekonomi

Bizneset po shfaqin fitime të mëdha/ Pjesa më e madhe “mbështetet” tek kapitali i vet, 36% kanë një kredi për të paguar

0

Gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar performanca e bizneseve është përmirësuar ndjeshëm. Sipas një vrojtimi të publikuar nga “Banka e Shqipërisë”, mbi gjendjen financiare dhe ngarkesën me borxh të ndërmarrjeve, rezulton se 94% e ndërmarrjeve kanë raportuar fitim gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023.

“Scan ntel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar ecurinë e shitjeve dhe performancës financiare në ndërmarrjet që operojnë  në vend, duke i klasifikuar ato sipas madhësisë. Në grupin e ndërmarrjeve të vogla dhe atyre që i përkasin sektorit të tregtisë performanca financiare paraqitet pozitive. Gjithashtu të tre grupet e ndërmarrjeve, të vogla, të mesme dhe të mëdha presin rritje të mëtejshme të shitjeve dhe të rezultatit financiar për gjysmën e parë të vitit 2024.

Por sa prej ndërmarrjeve kanë një kredi për të paguar? Sipas të dhënave të vrojtimit rezulton se rreth 36% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë aktualisht hua për të paguar duke konstatuar kështu një rënie të peshës së ndërmarrjeve që kanë një detyrim financiar për të paguar. Kjo peshë ka rënë me 2 pikë përqindje, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë, gjë që është e pritshme në kushtet e rritjes së kostove të financimit, pra rritjes së normave të interesit si dhe gjendjes së mirë të likuiditetit të ndërmarrjeve.

Vlera totale e huasë së marrë nga bizneset për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik rezulton afërsisht sa gjysma e kapitalit të ndërmarrjes për rreth 85% të tyre. Për 8% të ndërmarrjeve vlera e huasë barazon atë të kapitalit dhe për pjesën e mbetur të ndërmarrjeve rezulton se aktiviteti i tyre financohet më shumë me hua sesa më kapital të vet, siç është rasti i ndërmarrjeve të mesme, ku vlera e huasë e tejkalon atë të kapitalit. Nga ana tjetër, sektori i ndërtimit mbetet ai që ka nivelin më të lartë të financimit me borxh. Sipas anketimit rezulton se kostot e huasë arrijnë në 20% të të ardhurave për 77% të ndërmarrjeve, dhe në 20%-50% të të ardhurave për 21% të tyre.

Përveç gjetjes së burimeve të financimit që shoqërohen me kosto të larta për bizneset, gjatë vitit 2023 sfidë për ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme ishin konkurrenca dhe gjetja e tregut, ndërsa për ndërmarrjet e mëdha vështirësitë kryesore lidhen me rritjen e kostove të prodhimit dhe të punës dhe me gjetjen apo ruajtjen e stafit të kualifikuar. Lidhur me planifikimin për huamarrje në gjashtëmujorin e ardhshëm, rreth 43% e bizneseve të anketuara deklarojnë se “nuk ka asnjë mundësi” që të kërkojnë një kredi bankare gjatë gjashtëmujorit të ardhshëm të 2024-ës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Si ndryshoi raporti i varësisë së të moshuarve? Eurostat: Rritet krahasuar me vjet, por mbetet më i ulët se në Europë

Postimi mëparshëm

Shkurti “rikthen” azilantët shqiptarë në Europë? Në rajon, vetëm Shqipëria dhe Kosova shënuan rritje të kërkesave

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.