Çmimet

Sa na ka kushtuar rritja e çmimeve? Shqiptarët konsumuan 742 euro për frymë më shumë gjatë 2022-shit. “Fatura”, më e kripur se në BE

0

Rreth 5200 euro për frymë vlerësohet nga Eurostat konsumi i një shqiptari mesatarisht për vitin 2022. Shifra fiksohet në 5178 euro për frymë, nga 4436 euro për frymë që ishte në vitin 2021, në rritje me 16.7%. Kjo rritje është ndjeshëm mbi normën e Bashkimit Europian, që fiksohet pranë 10%. Nga ana tjetër, rritja e shpenzimeve për frymë prej rreth 17% gjatë vitit 2022 duket të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e rritjes së çmimeve, më shumë se sa e rritjes së konsumit, në një kohë që ky i fundit gjatë vitit të kaluar u tkurr si pasojë e inflacionit. Madje, rritje e shpenzimeve prej 16.7% është mbi dy herë më e lartë se norma zyrtare e inflacionit për vitin 2022 në vendin tonë. Në Bashkimin Europian, norma zyrtare e inflacionit për vitin 2022 fiksohet në 9.2%, ndërsa rritja e shpenzimeve për frymë pranë 10%, çka tregon një përputhje mes dy shifrave, në një kohë që në realitetin shqiptar, norma zyrtare e inflacionit fiksohet në 6.7% sipas Instat, dhe shpenzimet për frymë janë rritur me 16.7% sipas Eurostat, pra 2.5 herë më të larta.

Pavarësisht rritjes së shpenzimeve mbi mesataren e Europës, shqiptarët janë ata që konsumojnë më pak në të gjithë kontinentin, tregojnë shifrat. Asnjë shtet tjetër i Europës, mes atyre të marrë në analizë, nuk regjistron një shifër të konsumit për frymë nën 5178 euro në vit.

Për t`u rikthyer te krahasimi me Europën, shifrat e Eurostat tregojnë se një europian mesatar shpenzon në vit rreth 23 mijë euro, ose mbi 4 herë më shumë se një shqiptar. Por, e standardizuar me fuqinë blerëse kjo diferencë ngushtohet, pasi një shqiptar konsumon sa 40% e një europiani.

Vetëm për ushqim ndërkohë, mesatarisht një shqiptar shpenzoi gjatë vitit 2022 rreth 2002 euro, nga 1697 euro që shpenzonte në vitin 2021, në rritje me 18%. Edhe kjo rritje është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, që fiksohet pranë 11.9%, si dhe më e lartë se rritja e çmimeve të konsumit për ushqimet sipas Institutit të Statistikave në vendin tonë. Një europian mesatar ndërkohë shpenzon rreth 2342 euro për ushqim në vit, çka tregon se shqiptarët shpenzojnë për ushqim thuajse njësoj sa europianët, edhe pse të ardhurat janë ndjeshëm më të ulta se në Europë. Krahasuar me rajonin ndërkohë, shqiptarët shpenzojnë për ushqim rreth 39% më shumë. Vetëm malazezët shpenzojnë më shumë se në në rajon për ushqim. Në rast se krahasimin e bëjmë me Prodhimin e Brendshëm Bruto, në total, shpenzimet për ushqim përkthehen në 31% të prodhimit ekonomik të vendit, sinjalizojnë shifrat e Eurostat, të analizuara nga “Scan Intel”.

Nga ana tjetër, çmimet në Shqipëri janë sa 55.2% e mesatares së Bashkimit Europian, dhe në rritje krahasuar me vitin 2021, kur kjo normë fiksohej pranë 53.8%, çka tegon se në drejtim të çmimeve, Shqipëria po i afrohet gjithmonë e më shumë Europës.

Pra, shqiptarët janë ata që shpenzojnë më pak mes europianeve, ssi dhe ata që kanë njohur një rritje më të lartë të shpenzimeve se Bashkimi Europian nga vitit 2021 në vitin 2022. Në harkun e një viti, shpenzimet e një shqiptari janë rritur mesatarisht me 742 euro, ose rreth 62 euro çdo muaj.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Agjencitë e udhëtimit rritën shitjet me 49%/ Shifrat e tremujorit të parë, “hov” shitjet dhe pagat për shërbimet

Postimi mëparshëm

Çmimet, sa 61.3% e mesatares së BE-së/ Vjet u “europianizuam” më shumë në çmime, komunikimi dhe veshjet, më të shtrenjtat

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.