Mirëqenie

Sa janë rritur realisht pagat? Vetëm 14 euro në muaj që prej vitit 2014, nëse marrim për bazë rritjen e çmimeve

0

Pagat janë padiskutim një prej treguesve më të rëndësishëm të mirëqenies së një vendi. Në realitetin shqiptar, statistikat zyrtare të pagave janë mjaft të cunguara. Së pari, shifrat fillojnë që prej vitit 2014, pasi përpara këtij viti nuk ekzistojnë, ose më saktë figurojnë vetëm të dhënat për sektorin shtetëror. Së dyti, edhe ato statistika që janë pas vitit 2014 tregojnë vetëm pagën nominale, dhe jo atë reale, që do të thotë se nuk merret për bazë efekti i inflacionit. “Scan Intel” ka analizuar ecurinë e pagave ndër vite, që prej vitit 2014 kur ato janë publike duke i shtuar edhe efektin e inflacionit për të kuptuar se sa janë rritur realisht pagat e shqiptarëve gjatë periudhës kohore në fjalë.

Nga analiza e të dhënave rezulton se, ndërkohë që në vitin 2014 paga mesatare bruto nominale, pra ajo që deklarohej në `bordero` ishte rreth 45,500 lekë, në tremujorin e parë të këtij viti është ngjitur pranë rreth 59 mijë lekëve. Por, nëse këtyre shifrave do t`i shtojmë inflacionin kuptojmë se paga mujore sot vlen vetëm 54,747 lekë. Pra, realisht në harkun e 9 viteve paga mesatare reale bruto në vendin tonë është rritur me vetëm 4,500 lekë.

Në rast se këtë analizë do ta bënim mbi pagën neto, kuptojmë se në vitin 2014 paga mesatare neto nominale ishte rreth 39 mijë lekë, por që realisht, me vlerën e sotme të parasë përkthehet në rreth 43 mijë lekë. Ndërkohë, paga mesatare neto sot fiksohet pranë rreth 48,805 lekë, e cila po të shtojmë edhe elementin inflacion, pra rritjen e çmimeve, vlen vetëm 45,102 lekë. Thënë më thjesht, në harkun e 9 viteve paga mesatare në vendin tonë është rritur realisht me vetëm 1,631 lekë, ose rreth 14 euro. Vetëm 3.7% rezulton të jetë rritja reale e pagave në vendin tonë që prej vitit 2014.

Pra, në harkun e thuaje një dekade, fitimi i shqiptarëve nga puna është rritur realisht vetëm me 14 euro në muaj. Këto përlogaritje janë bërë mbi indeksin e çmimeve të konsumit dhe të pagës mesatare, sipas publikimeve të instat. Nga ana tjetër, mbi këtë përllogaritje peshojnë edhe shumë pikëpyetje mbi normën reale të inflacionit, pasi publikimet e muajve të fundit kanë ngritur jo pak dyshime, duke qenë se kategori si lëndët djegëse në pjesën më të madhe të vitit kanë rezultuar edhe me rënie të çmimeve. Në rast se norma e inflacionit në vendin tonë do të ishte edhe më e lartë se statistikat zyrtare atëherë me shumë gjasa, paga mesatare reale në harkun e 9 viteve do të rezultonte me rënie. Nëse inflacioni në vendin tonë sot do të ishte të paktën 12% në shifra, atëherë paga reale e shqiptarëve do të ishte më e ulët se viti 2014, që kur të dhënat janë publike.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi, rekord kreditimi gjatë korrikut/ Kredia e re për “akomodimin dhe shërbimin ushqimor” rritet me 62%

Postimi mëparshëm

Shqiptarët e njohin BE-në më mirë se europianët?!/ Anketa e KE: 52% shprehen të informuar, në Europë vetëm 35%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.