MirëqenieSociale

1 në 5 shqiptarë banojnë mes lagështirës/ Eurostat: Shqipëria, ndër vendet me normën më të lartë në Europë dhe në rajon

0

Shqiptarët, në krahasim me familjet europiane, renditen ndër vendet e para sa i përket pronësisë së shtëpive të tyre, por renditen ndër të fundit sa i përket kushteve optimale që duhet të ofrojë banesa ku ata kalojnë një pjesë të mirë të kohës së tyre. Të dhënat e“Eurostat” janë bazuar në sondazhe ku në secilin shtet është marrë një kampion përfaqësues dhe të anketuarit janë pyetur mbi fusha të caktuara të mirëqenies. Sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statistikave”, sa i përket kushteve të jetesës, 22% e shqiptarëve të anketuar janë përgjigjur se jetojnë në banesa me lagështirë ose në banesa me cilësi jo të mirë të dyerve dhe dritareve. Në krahasim me vendet e tjera, kjo përqindje e rendit Shqipërinë mes vendeve të para me përqindjen më të lartë. Më konkretisht, vendi ynë renditet në vend të 5-të.

Mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është 14.8%. Pra, rreth 15% e të anketuarve në Bashkimin Europian janë shprehur se jetojnë në banesa me lagështi. Katër vendet e para me normën më të lartë janë Qipro, Turqia, Portugalia dhe Mali i Zi. Në Qipro 39.1% e të anketurave jetojnë në banesa me lagështirë ose me çati që pikojnë, ndërkohë në Turqi kjo normë është 34.7%. Në dy vendet pasuese norma arrin në 25.2% për Portugalinë dhe 22.4% për Malin e Zi.

Nëse do ta ngushtonim më shumë fokusin, pra nëse Shqipërinë do ta krahasonim me rajonin, shifrat tregojnë se vetëm Mali i Zi është më keq se Shqipëria, ndërkohë që norma për Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë është poshtë mesatares së Bashkimit Europian. Në Maqedoninë e Veriut janë 13% e personave të cilët jetojnë në banesa që mbajnë lagështirë, ndërkohë në Serbi kjo normë është akoma më e ulët, pranë 11.4%.

Nga renditja e përgjithshme vihet re se shtetet me normën më të ulët janë Finlanda, Sllovakia, Polonia dhe Malta. Në Finlandë vetëm 4.5% e të anketuarve janë shprehuar se jetojnë në banesa me lagështirë, ndërkohë në Sllovaki, Poloni dhe Maltë ky tregues është 4.9%, 6% dhe 6.1% respektivisht.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Nëntoka shqiptare eksporton €1.82 mld në vit/ Sa 11% e PBB së vendit. Eksportet përfaqësojnë 74% të prodhimit mineral. Nafta, peshën më të madhe

Postimi mëparshëm

Inflacioni zbret në 7.1% sipas Eurostat/ Edhe në janar mbetemi mes vendeve me rritjen më të ulët në rajon dhe Europë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.