Mirëqenie

Në Shqipëri të kesh fëmijë po kthehet në luks/ 37% më shumë shpenzime mujore për familjet me një fëmijë, “kushton” mbi 200 euro në muaj

0

Anketa e Buxhetit të Familjes, një publikim i përvitshëm i Institutit të Statistikave në vendin tonë jep një panoramë të përafërt të buxhetit dhe shpenzimeve të familjeve shqiptare. “Scan Intel” është ndalur te shpenzimet e familjeve sipas tipologjisë së tyre, dhe veçanërisht te ndryshimi i shpenzimeve mes familjeve me fëmijë dhe atyre pa fëmijë, për të kuptuar pak a shumë se sa “kushton” një fëmijë.

Kështu, analiza e shifrave tregon se shpenzimet mujore të një familje me dy të rritur pa fëmijë fiksohen pranë 63,557 lekëve, ndërsa ato të një familje me dy të rritur me një fëmijë në varësi, pranë 87,438 lekëve. Pra, diferenca fiksohet në 23,881 lekë. Kjo është pak a shumë kosto e një fëmije në familje. Mbetemi në territor të përafërt në këto shifra, pasi të dhënat i referohen një anketimi të Institutit të Statistikave. Nga ana tjetër, tipologjia e një familje me dy të rritur pa fëmijë në varësi jo domosdoshmërisht i referohet dy të rriturve në moshë pune, por mund të jenë edhe dy të rritur në moshë pensioni, çka rrjedhimisht, bazuar edhe në anketa të tjera dhe në përceptim na bën të mendojmë se kanë të ardhura më të ulta dhe shpenzojnë më pak. Pra, shifra prej rreth 24 mijë lekësh shtesë në muaj mes familjeve me fëmijë dhe atyre pa fëmijë tregon një realitet të përafërt dhe jo plotësisht të saktë. 23,881 lekë shpenzim shtesë për ato familje me fëmijë përkthehen në rreth 203 euro në muaj. Ky shpenzim është ekzaktësisht sa gjysma e pagës mesatare neto në vendin tonë, çka tregon se, të pasurit një fëmijë kërkon një gjysëm rroge shtesë në familje, dhe të pasurit dy fëmijë kërkon një rrogë shtesë në muaj. Në vit, shifra ngjitet në 2436 euro.

Ndër të tjera, të dhënat e analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel” tregojnë se, kjo shifër, pra diferenca në shpenzime mes familjeve pa fëmijë dhe atyre me një fëmijë, gjatë vitit 2021 është më e larta e regjistruar ndonjëherë. Në vitin 2020 shifra fiksohej në 22,305 lekë, në 2019-tën pranë 22,158 lekëve, në 2018-tën pranë 17,188 lekëve, e në 2017-tën pranë 13,888 lekëve. Pra, në vetëm 5 vite, shpenzimet e familjeve me fëmijë janë rritur 17.8%, ndërkohë që ato të familjeve pa fëmijë janë rritur gjatë së njëjtës periudhë kohore me vetëm 5.35%.

Të pasurit një fëmijë në varësi rrit shpenzimet mujore, sipas INSTAT me plot 37%, ndërkohë që 5 vite më parë, kjo nomë fiksohej në 23%.

Siç e ilustrojnë edhe shifrat, diferencat janë të ndjeshme, dhe tendenca ndër vite tregon se në Shqipëri, të pasurit një fëmijë po kthehet gjithmonë e më shumë në luks. Një fëmijë sot i kushton familjeve shqiptare një gjysëm rroge në muaj, ose diçka më shumë se 200 euro.

Lindshmëria dhe indeksi i fertilitetit në Shqipëri kanë prekur nivele dramatike gjatë viteve të fundit, dhe përtej faktorëve demografikë, duket se një ndikim të madh kanë edhe faktorët ekonomik.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët, të parët në Europë për deportime/ 2840 të kthyer në vetëm tre muaj, më shumë se gjysma nga Greqia dhe Franca

Postimi mëparshëm

Familjet me arsim të lartë mbeten në “vend”/ Rrisin konsumin mujor me vetëm 4% në 14 vite, ato me arsim 8/9 vjeçar i kanë rritur me 24.1%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.