ÇmimetEkonomi

Inflacioni na “fshiu” thuajse një pagë mujore/ Zbriti mbi 3600 lekë çdo muaj nga paga, zbuloni sektorët më të prekur

0

Paga mesatare në vendin tonë është ngjitur pranë rreth 66 mijë lekëve gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, duke u rritur ndjeshëm krahasuar me tremujorin e fundit të vitit pararendës, me plot 10.8%. Të paktën këtë tregojnë shifrat zyrtare. Por sa janë rritur realisht pagat? “Scan Intel” ka zbërthyer rritjen reale të pagave për të kuptuar a është zhbërë efekti i inflacionit apo jo. Fillimisht shohim pagën mesatare në vend të përkthyer nga bruto në neto. Për vitin 2022 paga mesatare neto fiksohet në 53,939 lekë, nga 49,050 lekë që ishte gjatë tremujorit të fundit të vitit 2021. Po në rast se do të aplikojmë mbi pagën neto të vitit 2022 efektin e inflacionit?

Nga përllogaritja e shifrave rezulton se paga reale neto në vendin tonë në fund të vitit të kaluar u ngjit pranë vetëm 50,326 lekëve, pra 3,613 lekë më pak se ajo nominale. Këto 3,613 lekë të humbura janë efekt i inflacionit prej 6.7% gjatë vitit të kaluar. Në rast se do të merrnim në konsideratë normën e inflacionit vetëm për dhjetorin, prej 7.4%, atëherë humbja do të ishte në 3,991 lekë, çka do ta zbriste pagën reale pranë vetëm 49,948 lekëve. Ndër të tjera, në të dyja rastet bëhet fjalë për normën zyrtare të inflacionit në vendin tonë, që ka ngritur jo pak pikëpyetje. Në rast se norma e inflacionit do të ishte 10% ose më shumë, humbja do të ishte më e lartë se 5000 lekë çdo muaj. Në rast se këtë përllogaritje e bëjmë përgjatë të gjithë vitit kuptojmë se inflacioni vjetor i ka “fshirë” një shqiptari mesatar më shumë se 40 mijë lekë në total, ose thuajse pagën neto të një muaji.

Por, pavarësisht kësaj, rritja e pagës mesatare në vendin tonë gjatë vitit të kaluar ka qenë mjaftueshëm e ndjeshme sa të kapërcejë edhe efektin e inflacionit, paçka se rritja reale, në rast se marrim të mirëqenë normën zyrtare të inflacionit fiksohet pranë vetëm 1200 lekësh në muaj, ose rreth 10 euro.

Në rast se këtë analizë e bëjmë sipas sektorëve kuptojmë se ka shumë pabarazi. Dy prej tyre rezultojnë me rënie të pagës reale përgjatë vitit të kaluar, dhe janë: “Administrata publike” dhe sektori “arte, argëtim, çlodhje”, me -1.3% dhe -0.9% respektivisht. Edhe sektori i ndërtimit raporton një rritje të ulët të pagës reale gjatë vitit të kaluar, prej vetëm 2%. Nga krahu i kundërt i tabelës kemi sektorin e “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” , me një rritje të pagës reale prej plot 27% dhe ndiqet nga bujqëisa si dhe aktivitetet financiare me 8% secila.
Pra, bazuar në normën zyrtare të inflacionit, në Shqipëri pagat gjatë vitit të kaluar nuk janë rritur aspak me 10.8%, por me vetëm 2.6%, ndërkohë që për sektorë të caktuar ka pasur madje rënie.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria, e 4-ta në Europë me lindjet më të ulta/ Vetëm 1.31 lindje për grua, niveli më i ulët historik

Postimi mëparshëm

Sa investon Shqipëria në kërkimin shkencor? 756 herë më pak se mesatarja e BE-së, me vetëm 16 milionë euro në vit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.