Ekonomi

Shteti apo privati, cili e amortizoi krizën? Në privat pagat u rritën dy herë më shumë se në shtet

0

Së fundmi, Kryeministri Rama i ka bërë apel sektorit privat për të reflektuar sa i përket rritjes së pagave, që të mos ta shtrëngojë dorën duke nënpaguar punonjësit, në një kohë që në sektorin shtetëror pagat janë rritur. Por, çfarë thonë shifrat? Vetëm pak ditë më parë Instituti i Statistikave publikoi statistikat e pagave për vitin 2022, ku shihet e detajuar ecuria e tyre sipas sektorëve.

Sa i përket sektorit shtetëror, paga mesatare mujore bruto në tremujorin e 4-tët është ngjitur pranë 74,450 lekëve, nga 70,531 lekë që ishte në tremujorin e fundit të vitit 2021, në rritje me 5.5%, nën normën e rritjes së çmimeve në vendin tonë (prej mbi 7% në tremujorin e fundit të vitit). Në neto ndërkohë, paga në sektorin shtetëror është ngjitur në 60,333 lekë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, nga 57,362 lekë që ishte në fund të 2021-shit, në rritje me vetëm 5.2%. Në terma nominal bëhet fjalë për vetëm 2,971 lekë rritje të pagës mesatare në shtet gjatë vitit të kaluar, atë të krizës së madhe të çmimeve.

Po në sektorin privat, çfarë thonë shifrat? Në fund të vitit të kaluar paga bruto në sektorin privat u ngjit pranë 62,198 lekëvhe, nga 54,482 lekë që ishte në fund të 2021-shit, në rritje me plot 14.1%. Përkthyer në neto, paga në fund të vitit të kaluar fiksohet në 51,046 lekë, nga 45,197 lekë që ishte gjatë së njëjtës periudhë të vitit pararendës, në rritje me 12.94%, ndjeshëm mbi normën zyrtare të inflacionit në vendin tonë gjatë vitit të kaluar. Në terma nominal bëhet fjalë për 5,849 lekë rritje page në muaj për shqiptarët që punojnë në sektorin privat përgjatë vitit 2022.

Pra, shifrat flasin qartë, pagat në sektorin shtetëror janë rritur me vetëm 5.2% gjatë vitit të krizës, dhe ato në sektorin privat me thuajse 13%, mbi 2 herë më shumë. Në terma nominal, pra në vlerë, rritja e pagave në privat është dy herë më e lartë, 5,849 lekë kundrejt 2,971 lekëve. Veç kësaj, duket se sektori privat e ka amortizuar mjaftueshëm krizën e çmimeve, duke i rritur pagat mbi normën e inflacionit, ndërkohë që krej e kundërta ka ndodhur me sektorin shtetëror.

Por, pavarësisht kësaj, pagat në shtet vijojnë të mbeten më të larta se ato në privat, rreth 20%. Gjithsesi, ky hendek është ngushtuar ndjeshëm krahasuar me vitin 2021, kur pagat në shtet ishin 29.4% më të larta se në privat, apo në vitin 2020, kur ishin plot 34.5% më të larta.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa investon Shqipëria në kërkimin shkencor? 756 herë më pak se mesatarja e BE-së, me vetëm 16 milionë euro në vit

Postimi mëparshëm

Ekonomia, e varur nga biznesi i vogël/ Zë 99.8% të ndërmarrjeve aktive gjithsej, pesha e të punësuarve në 81.6%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.