Mjedisi

Menaxhimi i mbetjeve në rënie për 2021-shin/ INSTAT: Vetëm 2% e mbetjeve janë trajtuar më incenerim, 79% e tyre në landfille

0

“Instituti i Statistikave” në të dhënat e publikuara së fundmi mbi mbetjet e ngurta urbane tregon se përgjatë vitit 2021 ka rënë sasia vjetore e mbetjeve urbane të menazhuara në shkallë vendi. Shifrat sinjalizojnë se gjatë vitit 2021 janë menaxhuar në total 875,105 mijë tonë mbetje urbane ose ndryshe janë menaxhuar 311 kg për banorë. Gjatë vitit 2020 sasia e mbetjeve të menaxhuara ishte 369 kg për banor. Por si janë trajtuar këto mbetje? Të dhënat po nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se pjesa më e madhe e tyre ose rreth 79% janë depozituar nëpër landfille ose fusha mbetjesh të miratuara si depozita të përkohëshme nga bashkitë përkatëse. Ndërkohë, mbetjet e trajtuara me djegie ose e njohur ndryshe si incenerim zënë vetëm 2% të mbetjeve të menaxhuara gjithsej. Pavarësisht prioritetit për të cilin është diskutuar që nga viti 2014 sa i përket trajtimit të mbetjeve me incenerim si opsion i fundit për asgjesimin e tyre, shifrat tregojnë se përqindja që zënë këto mbetje të menaxhuara me këtë lloj metode nuk i justifikojnë të gjitha financimet nga taksat e qytetarëve. Për t`u rikthyer te menaxhimi i mbetjeve, shifrat tregojnë mbetjet e trajtuara me djegie janë rritur me 0.9 pikë përqindje nga 1.1% që ishin përgjatë vitit 2020 në 2% gjatë vitit 2021. Nga ana tjetër, 0.04% janë djegur për eleminim, 18.8% kanë shkuar për riciklim, ndërsa 0,2% janë hedhur jashtë landfillit.

Nëse do të flisnim për përbërjen e mbetjeve urbane të menaxhuara, përgjatë vitit 2021, nga të dhënat shihet se pjesën më të madhe e zënë mbetjet organike, me 58.6% të peshës. Ndiqen nga mbetjet plastike dhe materialet prej letre ose kartoni me 8.7% dhe 8.5% respektivisht. Inertet pasojnë në renditje me një peshë prej 6.3%. Sa i përket origjinës gjeneruese, 86.2% janë mbetje tipike familjare ose mbetje të ngjashme me to, ndërsa 13.8% janë mbetje industriale të menaxhuara bashkë me ato urbane.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria, rekord për eksportin e naftës/ Gushti, 8.1 mld lekë në një muaj, vlera e dytë më e lartë që nga viti 2005

Postimi mëparshëm

“Tregu” i OJF-ve në Shqipëri/ Në 6 vitet e fundit janë hapur më shumë se në 23 vitet paraardhëse, 80% janë përqëndruar në vetëm 3 qarqe

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.