Çmimet

Prodhimi vendas shtrenjtohet më shumë se importi/ Në tremujorin e parë të vitit çmimet u rritën me 9.4% dhe 1.2% përkatësisht

0

Çmimet e prodhimit dhe të importit e kanë filluar vitin 2023 me rritje sipas shifrave më të fundit nga “Instituti i Statistikave” për tremujorin e parë, megjithëse çmimet e importit janë ngadalësuar. Të dhënat tregojnë për një rritje të indeksit të çmimeve të prodhimit me 9.4% dhe të çmimeve të importit me 1.2%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Kështu, referuar shifrave, përgjatë tremujorit të parë të vitit 2023, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 129.5 pikë. Krahasuar me tremujorin e parë 2022 Indeksi i Çmimeve të Prodhimit shënoi një rritje me 9.4%, ndërkohë një vit më parë ky ndryshim ishte 17.0%. Po të fokusohemi te ndryshimet tremujore të dhënat tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në tremujorin e parë 2023 shënoi rritje me 1.5%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.

Krahasuar me tremujorin e parë 2022, rritja më e madhe e çmimeve prej 18.3% vërehet në seksionin “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar”, pasuar nga seksionet “Industri nxjerrëse” me 13.0% dhe “Industri përpunuese” me 7.0%. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 25.4%, pasuar nga aktivitetet “Prodhimi i drurit dhe produkteve prej druri dhe dushku, përveç mobiljeve; prodhimin e artikujve prej kashte dhe xunkthi” me 15.1%, “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 13.2%, “Pajisje të tjera transporti” me 11.4%, etj. Nga ana tjetër, rënia më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Prodhimi i mjeteve të transportit, rimorkiove dhe gjysëmrimorkiove” me 4.0%, pasuar nga aktiviteti “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 2.8%.

Nëse flasim për ndryshimet tremujore rritja më e madhe prej 2.5% vërehet në seksionin “Industri Nxjerrëse”, pasuar pasuar nga seksioni Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 1.9%, seksionet “Industri Përpunuese” dhe “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 1.1% secila.

Nga ana tjetër, Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e parë të vitit 2023, arriti 113.1 kundrejt vitit 2020 si periudha bazë. Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” flasin për një rritje deri në 1.2% të Indeksit të Çmimeve të Importit, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 10.7%. Krahasuar me tremujorin e katërt 2022 indeksi shënoi rritje me 0.6%.

Kontributin më të madh edhe në rritjen e çmimeve të importit, ashtu si në çmimet e prodhimit, duket se e ka dhënë “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar”, të cilët kanë shënuar rritje me 6.5%. Indeksi në seksionin “Industri nxjerrëse” shënoi një rritje me 4.9%, krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, indeksi në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 90.6% shënoi një rritje me 0.8%. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Konfeksionimi i veshjeve” me 5.3%, pasuar nga “Prodhimi i pijeve” me 5.0%, “Prodhimi i paisjeve elektrike” me 4.4%, dhe “Përpunimi i tekstileve” me 4%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ndërtimi vijon nën presion inflacioni/ Kostot u rritën me 5.3% në Janar-Mars, nga energjia dhe materialet

Postimi mëparshëm

BB rrit parashikimet për Shqipërinë/ Ekonomia do zgjerohet me 2.8% këtë vit. Jemi i vetmi vend në rajon me përmirësim

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.