Tregti

Nënçmimi i euros dhe inflacioni ‘fundosin’ eksportet/ Bien me 4% gjatë korrikut, ndikuan kryesisht materialet e ndërtimit

0

Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se eksportet po ‘fundosen’ si pasojë e nënçmimit të euros, por edhe nga ndikimi i ritmeve më të ngadalta të inflacionit. Kështu, nisur nga shifrat e tregtisë së jashtme për muajin korrik të këtij viti eksportet kanë vijuar në rënie për të pestin muaj radhazi . Eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u ulur me 4.0%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0.6%, në krahasim me qershorin e po këtij viti. Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe importet paraqiten më rënie në korrik. Importet e mallrave arritën vlerën 71 mld lekë, duke rënë me 13.6%, në krahasim me një vit më parë dhe me 6.0%, në krahasim me një muaj më parë.

Sipas shifrave të Instat, në harkun kohor të shtatë muajve eksportet e mallrave arritën vlerën 272 mld lekë, duke rënë me 7.0%, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 509 mld lekë, duke rënë me 3.5%, krahasuar me një vit më parë.

Por cilat grupe kanë kontribuar në rënien e eksporteve në vlerë? Gjatë muajit korrik 2023, në uljen e eksporteve prej 4.0%, kanë ndikuar kryesisht grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” me 8.7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 1.8 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me 1.1 pikë përqindje. Ndërkohë pozitivisht kanë ndikuar grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 6.9 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 2.0 pikë përqindje.

Një drejtim krejt ndryshe në korrik të këtij viti kanë patur eksportet dhe importet në volum. Sipas të dhënave të analizuara eksportet kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në peshë, krahasuar më një vit më parë, me rreth 38%. Ky ndryshim i atribuohet kryesisht rënies së çmimeve. Nga ana tjetër, edhe importet kanë shënuar një rritje në peshë me 22.4%, krahasuar me një vit më parë.

Nëse analizën do ta përqëndrojmë te ndryshimi vjetor në peshë i secilit grup, shohim se rritja më madhe vërehet në grupin e hidrokarbureve me 64.7%, pasuar nga produktet kimike dhe plastike me 20.2%. Me rritje në volum vërehen edhe ushqimet me 7.3%, krahasuar me korrikun e një viti më parë. Rënien më lartë ndërkohë e kanë regjistruar artikujt prej lëkure me 32.6%.

Në muajin korrik 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me korrikun e vitit 2022 janë Italia me 10.6%, Austria me 78.4% dhe SHBA me 63.4%. Ndërkohë, vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe janë Kosova me 243%, Greqia me 12.2% dhe Mbretëria e Bashkuar me 1,632.8%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Biznesi shqiptar, mikpritës për Romët/ RCC: 68% e tyre do t’i punësonin nëse plotësojnë kushtet, Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina kryesojnë rajonin

Postimi mëparshëm

Turizmi “nuk di të ndalet”/ Vizitorët e huaj, 76% më shumë se qershorin e kaluar. Jugu në krye me rritjen më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.