Turizëm

Turizmi “nuk di të ndalet”/ Vizitorët e huaj, 76% më shumë se qershorin e kaluar. Jugu në krye me rritjen më të lartë

0

Të dhënat e ‘Institutit të Statistikave’ tregojnë se për të distain muaj radhazi strukturat akomoduese vijojnë të konfirmojnë rekord pas rekordi. Numri i vizitorëve në qershor të këtij vit regjistrohet në 260,711 duke shënuar një rritje prej 49.7%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Nëse i analizojmë sipas tipologjisë vihet re se rritjen më të madhe e kanë regjistruar turistët e huaj me 76.4% dhe në numër janë rreth 180 mijë. Ndërkohë, nga ana tjetër, turistët vendas janë rritur me 12.2%. Të dhënat për muajin qershor në mënyrë të përsëritur flasin për një rekord si të numrit të vizitorëve ashtu edhe të numrit të netë qëndrimeve, nëse do ta krahasonim me të njejtin muaj të viteve të kaluara.

Rajoni i Jugut, ashtu si përgjatë muajit maj, vazhdon të jetë më i preferuari nga turistët edhe në qershor, tregojnë të dhënat e INSTAT. Numri i vizitorëve jo rezident të cilët janë akomoduar në rajonin e jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 2.5 herë. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 75.0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë. Numri i vizitorëve të huaj  të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 70.0%.

Numri i netë qëndrimeve në total është rritur me 52.8%, krahasuar me qershorin e një viti më parë, ndërkohë që nëse e analizojmë sipas tipologjisë, netë qëndrimet nga vizitorët vendas paraqiten me rritje deri në 36%. Në shifra absolute numri i netë qëndrimeve gjithsej për muajin Qershor të vitit 2023 është regjistruar në 683,713 ndërkohë sipas tipologjisë së tyre janë regjistruar rreth 194 mijë netë qëndrime nga vizitorë të vendas, dhe 489 mijë netë qëndrime nga vizitorë të huaj, të cilat janë rritur me 60.7%. Shifrat vazhdojnë të kofirmojnë rekorde të cilat tejkalojnë periudhën para pandemisë. Të dhënat që nga viti 2018-të tregojnë se numri i netë qëndrimeve për qershorin e këtij viti ka prekur rekord, krahasuar me të njejtin muaj të 6-të viteve më parë.

Nëse analizën e përqëndrojmë sipas rajoneve numri i netë qëndrimeve të vizitorëve të huaj, të cilët janë akomoduar në rajonin e jugut, ka shënuar rritjen më të lartë me 2.7 herë. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 46.7%, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Vizitorët e huaj të cilët kanë zgjedhur si destinacion Shqipërinë për muajin qershor të këtij viti janë kryesisht nga Kosova dhe zënë rreth 12.6%, Polonia me 9.2%, Italia me 8.3%, Gjermania me 7% dhe Spanja me 4.3%.

Normat neto të shfrytëzimit të dhomave dhe të shtretërve gjithashtu paraqitet me rritje krahasuar me një vit më parë tregojnë shifrat. Gjatë qershorit, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 28.5%, kundrejt 22.9% që ishte në muajin Qershor 2022.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Nënçmimi i euros dhe inflacioni ‘fundosin’ eksportet/ Bien me 4% gjatë korrikut, ndikuan kryesisht materialet e ndërtimit

Postimi mëparshëm

Çmimet po afrohen drejt mesatares europiane/ Janë shtrenjtuar me 5% në qershor, në BE inflacioni në 6.1%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.