Sociale

Në Shqipëri ulen ndjeshëm shkurorëzimet/ Bien në 1.1 divorce për 1,000 banorë në vitin 2021, norma e tretë më e ulët në Europë

0

Sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statistikave” shkalla e divorceve në Shqipëri ka prekur nivelin më të ulët në këto 8 vitet e fundit për të cilat disponohen të dhënat. Sipas shifrave për vitin 2021 shkalla e divorceve për 1,000 banorë në vendin tonë rezulton në 1.1 nga 1.5 divorce që regjistrohej përgjatë vitit 2020. Rënia në vitin 2021 është akoma edhe më e madhe nëse e krahasojmë me vitin 2019-të, i cili regjistronte 2.1 divorce për 1,000 banorë. Duket se viti 2019-të mban edhe rekordin për shkallën më të lartë të divorceve që nga viti 2014, viti i fundit për të cilin “Agjencia Europiane e Statistikave” ka të dhëna.

Me shkallën e divorceve në 1.1 për 1,000 banorë, Shqipëria renditet mes vendeve të fundit në Europë me më pak divorce. Krahasuar me shtetet për të cilat janë përditësuar të dhënat për vitin 2021, vendi ynë renditet i treti me shkallën më të ulët të divorceve për 1,000 banorë.

Në vend të parë me shkallën më të lartë mes vendeve të Europës për vitin 2021 është Ukraina me 2.9 divorce për 1,000 banorë. Në vend të dytë qëndron Lituania me 2.8 divorce, pasuar nga Letonia me 2.5 divorce.

Krahasuar me rajonin Shqipëria vlerësohet më mirë se Serbia, e cila regjistron 1.4 divorce, dhe se Mali i Zi me 1.2 divorce për 1,000 banorë. Megjithatë, Maqedonia e Veriut ruan pozicion më të mirë se Shqipëria duke regjistruar për vitin 2021 vetëm 1 divorc për 1,000 banorë. Nga ana tjetër, vendi me shkallën më të ulët është Malta me 0.6 divorce.

Duke marrë në konsideratë faktin që për shumë vende të Europës të dhënat për vitin 2021 nuk janë përditësuar, “Scan Intel” ka analizuar të dhënat për vitin 2020. Referuar shifrave, Shqipëria me një shkallë divorci prej 1.5 pozicionohet poshtë mesatares së Bashkimit Europian që është 1.6 divorce për 1,000 banorë. Ukraina, Lituania dhe Letonia renditen të parat me shkallën më të lartë edhe për vitin 2020, ndërkohë në fund të renditjes qëndrojnë Malta, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Biznesmenët e huaj “prishin” ortakërinë me shqiptarët/ Bizneset me pronësi të përbashkët prekin minimumin historik, por janë rritur ato `100% të huaja`

Postimi mëparshëm

Inflacioni zbret në 5.3%/ Instat thotë se është ngadalësuar shtrenjtimi i çmimeve, edhe për ushqimet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.