Tregu i Punës

Në Shqipëri puna kushton 9 herë më pak se në Europë/ Kosto e punës, 3.1 euro ora, ndërsa në BE, 28.6 euro, jemi të fundit në kontinent

0

Pak kohë më parë “Instituti i Statistikave” publikoi “Anketën e Kostos së Punës”, botim i cili përmbante të dhëna mbi orët reale të punës, pagat bruto, kontributet për sigurimet shoqërore që paguan punëdhënësi dhe shumë informacione të tjera të cilat i referohen kryesisht vitit 2020. Shifrat e analizuara vlerësonin se në Shqipëri kostoja mesatare vjetore e ndërmarrjeve për një të punësuar me kohë të plotë ishte 827,534 lekë, ndërkohë që kostoja mujore ishte 68,534 lekë. Por sa vlerësohet mesatarisht kostoja orare e punës për një të punësuar për vitin 2020? Vetëm 391 lekë në orë! “Scan Intel” i ka analizuar sërish të dhënat e “Institutit të Statistikave” duke i kryqëzuar ato me të dhënat e “Agjencisë Europiane të Statitstikave” për të bërë një krahasim të këtij treguesi me vendet e Europës. Kosto orare mesatare për njësi pune me kohë të plotë në vendin tonë e përkthyer në euro, referuar kursit mesatar vjetor të këmbimit të euros me lekun përgjatë vitit 2020, rezulton në 3.1 euro. Ky tregues e rendit vendin tonë në fund të Europës me koston më të ulët orare për vitin 2020.

Referuar grafikut të krijuar nga “Scan Intel”, sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statitstikave”, mesatarja e kostos orare së punës në Bashkimin Europian është 28.6 euro. Pra në vendet e BE-së kostoja mesatare orare është 25,5 euro më e lartë sesa në vendin tonë. Norvegjia dhe Danimarka kanë koston mesatare orare më të lartë, përkatësisht me 47,3 dhe 45,3 euro. Këto dy vende ndiqen nga Luksemburgu dhe Belgjika me kosto orare të punës deri në 42.2 euro dhe 41.1 euro. Por cilat shtete, përveç Shqipërisë, renditen në fund të Europës me koston orare më të ulët? Serbia dhe Bullgaria po ashtu renditen në fund të Europës me 6.2 euro dhe 6.5 euro përkatësisht.

Siç u theksua edhe më lart kostot e punës përbëhen nga shpenzimet për paga dhe shpërblime, plus kostot e tjera siç janë kostot për kontributet e sigurimeve shoqerore. Sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statitstikave” në vitin 2020, pjesa më e madhe e kostos jo për paga e shpërblime, pra kryeisht për kontributet shoqërore ishte më e lartë në Francë me 32,1% dhe Suedi me 31,6%, ndërsa më e ulët në Lituani me 2,9% dhe Rumani me 4,9%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në një dekadë, mbi 15% e popullsisë në vend ka emigruar/ Tirana në vend të parë, ka “humbur” mbi 10% të familjeve plotësisht

Postimi mëparshëm

Gushti, “piku” i aplikimeve për azil/ Regjistrohen 1.117 kërkesa, vijojmë të kryesojmë rajonin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.