Edhe pse numri i aplikimeve për azil ka rënë gjatë muajit tetor, të dhënat nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” (EUAA) tregojnë së përgjatë dhjetë muajve të vitit 2022 numri i kërkesave për azil nga shqiptarët është ngjitur mbi 10 mijë. Kjo shifër, e cila saktësisht regjistrohet në 10,912 aplikime, është rritur me rreth 20%, krahasuar me periudhën janar-tetor të vitit të kaluar, i cili regjistronte 9,118 aplikime për azil. Përgjatë tetorit të këtij viti numri i aplikimeve për azil është 1,301, të cilat ndahen në 1,091 aplikime për herë të parë dhe në 210 aplikime përsëritëse. Ky tregues është më i ulët se gjatë tetorit të vitit 2021, i cili regjistronte 1,558 kërkesa dhe po ashtu është më i ulët krahasuar me muajin paraardhës. Nëse do ta shprehnim në përqindje, numri i aplikime ka rënë me 16.4% krahasuar me tetorin e vitit 2021 dhe ka pësuar po ashtu një rënie me 8% krahasuar me muajin shtator të këtij viti.
Nëse Shqipërinë do ta krahasonim me vendet e rajonit shohim se edhe për muajin tetor nuk e “lëshojmë” vendin e parë, duke kryesuar me numrin më të lartë. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 924 aplikime dhe Kosova me 391 aplikime për azil. Serbia për tetorin ka regjistruar 389 kërkesa duke pësuar rënie krahasuar me muajin shtator, ndërkohë që vendet me numrin më të ulët të aplikimeve janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi me 168 dhe 28 kërkesa respektivisht.
Vendet e Bashkimit Europian morën rreth 106,900 kërkesa për azil në tetor të këtij viti. Të dhënat tregojnë se për të tretin muaj radhazi, aplikimet arritën një nivel të ri që nga viti 2016, kjo si pasojë e luftës në Ukrainë ku shumë persona janë regjistruar për mbrojtje të përkohshme në vendet e Bashkimit Europian.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments