Tregti

Transporti konfirmon rënien e tregtisë/ Në rënie transporti i mallrave për nëntorin, me rritje pasagjerët

0

Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” mbi tregtinë e jashtme përgjatë muajit nëntor, tregojnë për një rënie të volumit të mallrave të transportuara në rrugët detare dhe një rritje të lehtë të volumit të tyre të transportuara në rrugë ajrore dhe hekurudhore.

Transporti i mallrave në rrugë detare, i cili zë edhe peshën më të madhe, ka pësuar rënie deri në 28%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Sa i përket volumit të mallrave të transportuara në rrugë hekurudhore rritja vjetore e tyre regjistrohet në 30.2%, ndërkohë që në rrugë ajrore regjistrohet në 7.7%.

“Scan Intel” e ka analizuar transportin e mallrave edhe përgjatë njëmbëdhjetë muajve të vitit nga ku vihet re se volumi i mallrave si në rrugë detare po ashtu edhe në rrugë hekurudhore ka pësuar rënie me 20.9% dhe 22,3%. Nga ana tjetër, volumi i mallrave të transportuara me ajër është i vetmi që ka pësuar një rritje të lehtë, ku përgjatë këtyre muajve rritja shënohet në 2.8%.

Nëse do të shohim transportin e pasagjerëve, numri i pasagjerëve në nëntor të këtij viti ka shënuar rritje, si në linja detare po ashtu edhe në linja ajrore. Të dhënat tregojnë se rritjen më të madhe e kanë regjistruar pasagjerët të cilët kanë udhëtuar në linja ajrore, me 70%, krahasuar me nëntorin e një viti më parë. Pasagjerët në linja detare po ashtu kanë shënuar rritje me 28.4% gjatë nëntorit, ndërkohë që me rënie paraqiten pasagjerët e linjave hekurudhore, me 84%. Le të ndalemi në interpretimin e shifrave për periudhën janar-nëntor. Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se rritjen më të madhe gjatë kësaj periudhe e kanë pasagjerët të cilët kanë udhëtuar në linja ajrore, me 81.8%, ndërsa pasagjerët në linja detare janë rritur me rreth 60.7%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Numri i fluturimeve gjithashtu paraqitet pozititv edhe përgjatë nëntorit të këtij viti. Fluturimet e kryera janë 2,826 duke pësuar rritje me 33.1%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Rritje vërehet edhe përgjatë njëmbëdhjetë muajve të vitit, me 50.6%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Investimet e huaja, konfirmohet vit rekord/ Pranë 1 mld eurove në 9 muaj. Turqia rikthehet në “skenë”. Pronat vijojnë të jenë në fokus

Postimi mëparshëm

Në 10 muaj, 11 mijë kërkesa për azil/ EUAA: Kanë aplikuar 20% më shumë shqiptarë se një vit më parë, të parët në rajon

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.