Emigracioni

Emigracioni, niveli më i lartë prej 2014-ës/ 46 mijë të larguar në 2022-shin. 1.66% e popullsisë, ose 127 individë çdo ditë

0

Nga Shqipëria janë larguar 46,460 persona si emigrant gjatë vitit të kaluar, raporton Instituti i Statistikave në publikimin më të fundit për popullsinë e vendit. Kjo shifër rezulton të jetë 10.5% më e lartë se ajo e vitit 2021, kur numri i të larguarve fiksohej pranë 42 mijë. Por, ajo që bie në sy nga statistikat publike në rastin e popullsisë është fakti se emigrimi në vitin 2022 ka prekur nivelin më të lartë që prej vitit 2014. Asokohe bëhej fjalë për 46,525 të larguar. Pra, vetëm 65 emigrantë më shumë se në vitin 2014.

Të dhënat publike për emigracionin fillojnë që prej vitit 2011, dhe tregojnë se vitet 2011 dhe 2012 kishin nivele në mbi 50 mijë të larguar në vit, me rekordin që e mban viti 2011, me rreth 55 mijë të larguar. Në vitet 2011-2016, shifrat e emigracionit regjistruan një tendencë në rënie graduale nga viti në vit, për të filluar trajektoren rritëse pas vitit 2016. Rekordi më i ulët historik ndërkohë është ai i vitit 2020, me rreth 23 mijë të larguar nga Shqipëria, por që lidhet ngushtë me pandeminë dhe masat kufizuese në thuajse çdo cep të globit.

Më 1 janar të vitit të kaluar në Shqipëri, sipas Instat ka pasur 2,793,592 banorë. Bazuar në këtë popullsi, gjatë gjithë vitit, me 46,460 të larguar, rezulton se kanë ikur nga Shqipëria për emigrim 1.66% e popullsisë, ose 1 në 60 individë rezidentë. Thënë ndryshe, bazuar në numrin e anëtarevë për familje, kjo shifër do të ishte e barabartë me 12,500 familjë të larguara tërësisht nga vendi. Ose, thënë edhe më ndryshe, nga Shqipëria gjatë vitit 2022 si të plotë, çdo ditë janë larguar përfundimisht nga vendi 127 individë, apo 5.3 shqiptarë çdo 1 orë.

Këto të dhëna i referohen vetëm statistikave publike, pra emigracionit të ligjshëm, ndërkohë që nuk reflektohen emigrantët e paligjshëm, apo ata jo të formalizuar, pra që thjesht kanë ikur, dhe nuk kanë plotësuar apo kërkuar asnjë dokumentacion për largimin e tyre, çka do të thotë se këto shifra janë skenari më optimist, dhe aspak ai më realist, bazuar në supozimin se emigracioni i paligjshëm dhe ai informal do të ishin zero në Shqipëri.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa shpenzojnë shqiptarët për turizëm jashtë? 308 euro për person, të 4-tit nga fundi në Europë. Gjysma e shpenzimeve, për restorante

Postimi mëparshëm

Ndërtimi vijon nën presion inflacioni/ Kostot u rritën me 5.3% në Janar-Mars, nga energjia dhe materialet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.