Duket se ekonomia po ecën më ritme pozitive duke patur një performancë të mirë përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit. Produkti i Brendshëm Bruto vlerësohet më rritje përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti, sipas të dhënave më të fundit nga “Instituti i Statatistikave”. Kjo rritje fiksohet në 3.23%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, ndërsa nga ana tjetër konsumi final i popullatës ka shënuar rritje me 4.03%. Shifrat tregojnë se gjatë tremujorit të dytë të vitit pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi vijojnë të jenë padyshim “lokomotiva” e ekonomisë. Këto zëra regjistrojnë kontributin më të lartë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me 0.72 pikë përqindje dhe 1.43 pikë përqindje respektivisht. Zëri i tretë me kontributin më të lartë është “Administrimi publik” me 0.66 pikë përqindje, ndjekur nga “Artet, argëtim dhe çlodhje” me 0.53 pikë përqindje. Dega e cila ka dhënë kontibutin më të vogël në rritjen e përgjithshme të prodhimit është “Aktivtetet financiare” me 0.09 pikë përqindje. Shifat po ashtu tregojnë se grupi “Aktivitete profesionale, administrative”, “Bujqësia” dhe “Industria” kanë kontribuar negativisht me -0.27 pikë përqindje, -0.03 pikë dhe -0.31 pikë përqindje.
Nëse në analizë marrim ndryshimin e degëve kryesore, shohim se për këtë tremujor të dytë “Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit” shënoi rënie prej 0.04%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 2.37%. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 14.61%. Grupi i aktiviteteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim Ushqimor pati një rritje prej 1.24%. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 8.14%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 3.61%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 11.72%. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me rënie prej 4.16%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 5.26%. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati rritje me 12.37%. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 1.81%.
Ndërkohë, krahasuar me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e parë të vitit 2023, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rënie prej 0.44%. Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit u shfaq me rritje prej 0.17%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit shënoi rënie prej 2.23%. Aktiviteti i Ndërtimit shënoi rritje me 0.67%. Aktiviteti Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor shënoi një rritje prej 0.38%. Aktiviteti Informacioni dhe Komunikacioni pati një rritje me 0.71%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit pati rritje prej 2.71%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme shënoi rritje me 3.00%. Grupi Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative shfaqi rënie me 4.36%. Aktiviteti i Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 0.83%. Aktiviteti i Artë, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi u shfaq me rënie prej 4.85%. Taksat Neto mbi produktet patën një rritje me 0.21%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments